Mbledhja e Kuvendit Komunal të Drenasit

Kuvendi Komunal i Drenasit diskuton raportin e ekipit të Auditimit Social (VIDEO)

Kuvendi Komunal i Drenasit ka diskutuar të mërkurën raportin e ekipit të Auditimit Social, i cili është formuar për të monitoruar projektin e ndërtimit të kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza në këtë komunë. Në këtë seancë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të ekipit të Auditimit Social në Drenas që kanë punuar në këtë raport bashkë me përfaqësues të ekipit të BIRN Kosova.

Një grup prej 20 qytetarëve, të profesionave e moshave të ndryshme, u bënë pjesë e ekipit të Auditimit Social në Komunën e Drenasit dhe për disa muaj kanë monitoruar realizimin e projektit “Ndërtimi i kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza në Komunën e Drenasit”, i cili kap vlerën e 699 mijë eurove.

Xheneta Murtezaj, përfaqësuese nga organizata BIRN Kosova prezantoi fillimisht raportin 30-faqësh, i cili paraprakisht u ishte dorëzuar asamblistëve nga ana e kryesuesit të Kuvendit komunal.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, falendëroi qytetarët e përfshirë në këtë proces, duke u zotuar që projekti për ndërtimin e kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza, do të vazhdojë.

“Gjetjet dhe rekomandimet e juaja, na bëjnë më të përgjegjshëm me i kry punët në mënyrën më transparente dhe llogaridhënies, ju falendëroj për punën që keni bë dhe ekipet që i keni përgatit me na mbikëqyrë. Projekti do të vazhdojë në vitet 2024 e tutje” – tha Lladrovci.

Për të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e ekipit të Auditimit Social, Komuna e Drenasit tregoi gatishmërinë për bashkëpunim dhe u zotua në realizim të rekomandimeve.

Në anën tjetër, asamblistët ngritën pyetje për të kuptuar mënyrën e përzgjedhjes së qytetarëve të përfshirë në ekipin e auditimit social dhe për procesin e mbarëvajtjes në terren.

Puna disamujore e ekipit të Auditimit Social në Drenas, që nga faza e planifikimit të projektit e deri në implementimin e tij, përfshin trajnimin, hulumtimin dhe analizimin e dokumenteve, takimet me udhëheqësit komunal e vizita në terren. Puna e ekipit të Auditimit Social në Drenas është finalizuar me grumbullimin e gjetjeve dhe rekomandimeve në një raport.

Raporti i Auditimit Social në Komunën e Drenasit paraqet të dhëna të grumbulluara nga ekipi në mes muajve korrik dhe nëntor 2023. Në të janë kategorizuar gjetjet në katër grupe: gjetjet në procesin e konsultimeve me qytetarët, në procesin e planifikimit, në fazën e kontraktimit dhe në fazën e implementimit të kontratës. Për secilën nga këto faza ekipi i Auditimit Social në Komunën e Drenasit ka dalë edhe me rekomandime.

Në raportin 30-faqësh ekipi ka renditur gjetjet si: dominimin e burrave nëpër takimet e konsultimeve publike, performancën e dobët të moderatorëve të këtyre takimeve, mosdiskutimin e projektit të kolektorëve në diskutim publik me qytetarët, mospublikimi i një pjesë të dokumenteve online që kanë lidhje me projektin, mosnjoftimin e qytetarëve me menaxherët e kontratave përkatëse, ndotjen e lumit për shkak se me përfundimin e kolektorit nuk përfundon i gjithë projekti dhe ujërat e zeza do të derdhen në Lumin Drenica në Poklek, koordinimi i dobët me institucionet e tjera, etj.

Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë LINK.

Gjithashtu, më poshtë mund të shihni dokumentarin që shfaq pamjet e punës disamujore të ekipeve të Auditimit Social në pesë komunat e përzgjedhura, duke filluar nga trajnimi i qytetarëve mbi procesin e Auditimit Social, takimet dhe diskutimet e shpeshta të grupeve, vizitat në terren, takimet me udhëheqësit komunalë dhe finalizimin e raporteve.

BIRN Kosova është angazhuar nga DEMOS për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në pesë projektet e përgjedhura në Drenas, Suharekë, Kaçanik, Han të Elezit dhe Viti.

Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) mbështet 38 komuna të Republikës së Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo.