Murati: Kosova i shpëton 50 milionë euro, por i humb 34 milionë të tjera

Hekuran Murati, autori i analizës “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit “Adem Jashari”” ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili  gjatë vizitës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” deklaroi se kosto e zgjatjes së pistës së Aeroportit do të mbulohet nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Zgjatja e kësaj piste e tëra do të kushtojë 32 milionë dhe do të paguhet për 2 vite: këtë vit 2.2 milionë euro, në vitin 2019 do të paguhen 10 milionë  euro, ndërsa vitin pasues 20 milionë euro”, deklaroi Lekaj.

Hekuran Murati në analizën e tij kishte evidentuar se kostoja e ndërtimit të pistës ishte 34 milionë euro, por duke u thirrur në arsyetimet e Qeverisë për kompensim të kësaj kostoje ka thënë se Kosova në fakt do të humbë edhe 50 milionë euro të tjera.

Murati ka shkruar në profilin e tij në Facebook duke thënë se deklarata e ministrit Lekaj që nuk është e vërtetë se do të hiqet dorë nga tarifa koncesionare, por që kostoja e këtij projekti do të paguhet nga buxhetim, përbën lajm të mirë, dhe njëkohësisht të keq.

Sipas tij lajmi i mirë është se buxhetit të shtetit i kanë shpëtuar 50 milionë euro.

“Lajmi i mirë është se pas raportimit për këtë skemë, ministri është tërhequr nga ideja per t’ia falur Limak-ut edhe 50 milionë euro tjera, dhe tani thotë se do të paguajnë vetëm shumën që parashihet në kontratë, direkt nga buxheti. Me fjale tjera, buxhetit te vendit i shpetuan 50 milione euro pa u zhvatur”, ka shkruar Murati.

Ndërsa Murati ka thënë se lajmi i keq është se ministri po insiston në vazhdimin e një kontrate të kundërligjshme, e cila paraqet investim të parasë publike në biznes privat.

“Në këtë rast, me kontratën për zgjatjen e pistës së aeroportit, Ministria e Infrastrukturës po subvencionon Limak-un me 34 milionë euro. Me fjalë të tjera, 34 milionë euro taksa të qytetarëve që do të mund të investoheshin në arsim apo shëndetësi, po investohen në kompaninë Limak, thuajse pak po fitojnë ata”, ka theksuar Murati.

Hekuran Murati e ka ftuar ministrin Lekaj në debat për të sqaruar publikisht para qytetarëve se kush po e thotë të vërtetën.

https://kallxo.com/lekaj-zgjatja-e-pistes-paguhet-nga-buxheti/

Qeveria që fal miliona

https://kallxo.com/murati-qeveria-po-i-fal-84-milione-euro-limak-ut/?fbclid=IwAR0NpUe9tyguE80gg3wSc9Ne_fHuP_o4V_BaMOLyUiRD8N0YiIM4d27C0H8