I akuzuari Fatmir Limaj në seancë në rastin MTPT - Foto: KALLXO.com

Mungon i Akuzuari, Shtyhet Gjykimi i Limajt dhe të Tjerëve

Sevdali Zejnullahu, avokat i të akuzuarit Telaku, tha se klienti i tij gjendet në Shqipëri për një rast familjar.

“Ju kam informuar përmes shkresës se i mbrojturi im gjendet në Shqipëri në përkujdesje të nënës së tij, e cila është në gjendje shumë të rëndë. I njëjti më ka njoftuar që e ka të pamundur të prezantojë këtë javë apo ditëve në vijim. Megjithatë, sa më shpejtë do të ju informoj për çdo informatë që e kam nga i mbrojturi im. Andaj, kërkoj nga Gjykata që ta marrë në konsideratë këtë situatë”, tha Zejnullahu.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, Maria Tuma, theksoi se në shkresën e dorëzuar  nga avokati thuhet se i akuzuari Telaku parashihet të qëndrojë në Shqipëri deri më 2 qershor.

Për këtë, Zejnullahu tha se trajtimi të cilit do t’i nënshtrohet nëna e të akuzuarit, parashihet të zgjasë përafërsisht deri në atë kohë.

“Sipas udhëzimeve më kanë njoftuar se e njëjta do t’i nënshtrohet më urgjencë një kemo-terapie dhe përafërsisht deri më 2 qershor do të jetë nën trajtim”, deklaroi Zejnullahu.

Më tej, ai theksoi se do të e pajisin Gjykatën me të gjitha provat materiale lidhur me mungesën e tij, gjë e cila u kërkua edhe nga vetë gjykatësja Tuma.

Kryetarja Tuma kërkoi nga avokati mbrojtës që këtë ta vërtetojë në bazë të certifikatave të mjekut, në të kundërtën, mund të lëshohet urdhër-arrest për të akuzuarin.

“Kërkoj t’i dorëzohet Gjykatës certifikata nga doktori i Kosovës, i cili specifikon se pacientja në fjalë ka nevojë të trajtohet në Tiranë dhe se kur është marrë ky vendim nga ai doktor i caktuar. Po ashtu një certifikatë e cila tregon se kur është pranuar kjo paciente në spital dhe se çfarë trajtimi i duhet”, tha Tuma.

Sa i përket çështjes së raportit të ekspertizës së SMS-ve dhe komunikimeve, raport ky për të cilin mbrojtja në seancat e kaluara kërkoi sqarime sa i përket ekspertit i cili e ka përpiluar, prokurori Charles Hardaway theksoi se ka marrë përgjigje nga ish-prokurori i këtij rasti dhe i njëjti ka theksuar se ky raport është përpiluar nga një hetues i EULEX- it.

Ndërkaq, i akuzuari Fatmir Limaj kërkoi nga trupi gjykues që mbrojtja të pajiset me pyetjet e parashtruara ish-prokurorit dhe me përgjigjet e të njëjtit.

“Ajo çka po kërkoj nga prokurori është të na sigurojë pyetjet që i ka dërguar ish- prokurorit të rastit si dhe përgjigjet e tij. Sepse ka shumë gjëra të cilat duhet të diskutohen, por fillimisht duhet të shohim se çfarë ka në atë dokument. Ne po na intereson se a ekziston diçka tjetër përpos asaj që e kemi pa, ndonjë raport tjetër”, tha Limaj.

Pas këshillimit, trupi gjykues mori aktvendim që të mos urdhërojë që të shpalosen komunikimet e zhvilluara mes prokurorit Hardaway dhe ish-prokurorit të rastit, pasi që konsideron se është çështje e brendshme e prokurorisë.

Në seancën e radhës pritet të vazhdojë marrja në pyetje e dëshmitarit Ali Aliu, i cili gjendej sot në Gjykatë por për shkak të mosprezencës së të akuzuarit Telaku, u lirua nga Gjykata.

Në këtë gjykim, Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me rastin MTPT mund t’i gjeni në këtë link.

http://kallxo.com/grabovci-thote-se-nuk-tregoi-limajt-per-sms-te/