Semaforët e prishur te tjegullorja në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Mosfunksionimi i Semaforëve Rrezikon Jetën e Këmbësorëve

Udhëkryqi te tjegullorja dhe Shkolla Model që lidh rrugët “Plava, “Vushtrria” e “Zagrebi” që gati një muaj po funksionon pa semaforë, pasi ata u dëmtuan nga një aksident.

Banorët e këtyre rrugëve thonë për KALLXO.com se prej prishjes së semaforëve po rrezikohen si këmbësorë, sidomos fëmijët që nëpër këtë udhëkryq çdo ditë shkojnë në shkollë.

“Unë banoj këtu, semaforët kanë një kohë të gjatë që nuk punojnë. Rrezikshmëria është e lartë, ka komunikacion mjaft të dendur të veturave. Sidomos për fëmijë është e rrezikshme se kanë me kalu në këtë rrugë për me shku në shkollë,” tha Hyrije Kuqi, banore e kësaj pjese të Prishtinës.

Zeqë Fazliu, njëri nga vozitësit dhe banorët që shpesh kalon nëpër udhëkryqin me semaforë të prishur shpjegon se rreziku vjen nga mosrespektimi i rregullave të komunikacionit këtu.

“Katastrofë, se nuk po respektojnë [rregullat], ose këmbësorët nuk i respektojnë ose vozitësit. Rrezikshmëria është e lartë, kujdesi duhet me qenë tek të dy palët, nuk e di pse nuk funksionojnë, ka ditë që janë kështu,” thotë Zeqë Fazliu.

semaforat te tjegullorja 4

Banorët e këtyre tri rrugëve tregojnë se semaforët u prishën para Vitit të Ri kur një makinë gjatë lëvizjes humbi kontrollin dhe u përplas me njërin prej tyre, duke e deformuar atë.

Dëmtimin e semaforëve nga aksidenti i komunikacionit e konfirmon kur flet për KALLXO.com edhe zyrtarja për informim e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu-Bejta.

“Mosfunksionimi i semaforëve në këtë udhëkryq vjen si pasojë e një aksidenti të komunikacionit, gjatë të cilit është dëmtuar edhe ormani komandues i kësaj nyje semaforike,” tha Mullafazliu-Bejta.

Ajo premton se komuna do ta rregullojë prishjen.

“Komuna e Prishtinës i ka siguruar pjesët për riparimin e plotë të kësaj nyje. Porsa të përfundojnë të gjitha punimet edhe semafori do të futet në funksion,” tha Miranda Mullafazliu-Bejta.

semaforat te tjegullorja 2

Vitin e kaluar KALLXO.com kishte shkruar edhe për defekte tjera të semaforëve në Prishtinë.

http://kallxo.com/defekt-ne-semaforet-kryesore-komuna-nuk-di-gje/

http://kallxo.com/raportimi-i-qytetarit-i-ben-semaforet-funksionale/

Probleme me semaforët kishte në vitin 2015 edhe në Pejë.

Semaforët në Pejë Nuk Funksionojnë Që Dy Javë

Redaktoi: Bekim Muhaxheri