Ministria e Mjedisit me pako informuese për lejet ndërtimore

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me zyrën e USAID në Kosovë, ka organizuar një punëtori në të cilën ka prezantuar pakon më të re informuese për procedurat e marrjes së lejeve ndërtimore.

Prezantimi i pakos informuese kishte për qëllim lehtësirat që i ofrohen qytetarit me pajisjen e lejes ndërtimore për shtëpi ose banesë.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha se qëllimi i kësaj punëtorie është informimi i profesionistëve të fushës dhe i palëve të tjera të lidhura për marrjen e leje ndërtimore.

“Përmes kësaj pakoje duam të informojmë për procedurat e aplikimit dhe pajisjen me certifikatë të ndërtimit. Tjetër qëllim është edhe standardizimi dhe unifikimi, shqyrtimit dhe menaxhimit të kërkesave për leje ndërtimore nga të gjitha komunat, që të lehtësohet dhe shpejtohet pajisja me leje ndërtimi”, tha Reshitaj.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu tha se kryetarët e komunave po synojnë që këto shërbime të kalojnë në shërbime elektronike në mënyrë që qytetari të marrë lejen e ndërtimit përmes internetit dhe të kenë procedura më të lehta në pajisjen me leje ndërtimore.

“Komunat e Kosovës, përmes Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë për Planifikim Urban, kërkojnë që shërbimet sa i përket pajisjes së qytetarit me leje ndërtimi të jepen  përmes internetit. Kjo është shumë e mundur dhe shumë e thjeshtë. Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar një vizitë studimore në Maqedoni ku është parë nga afër që shërbimi i pajisjes së qytetarit me leje ndërtimore mund të bëhet edhe përmes komunikimit elektronik. Pse kjo mos të ndodhë edhe në komunat e Kosovës?”, tha Veliu.

Ai i bëri thirrje nivelit qendror që t’u japë hapësirë më të madhe komunave të shfrytëzimit të ueb-faqeve ku qytetarët e Kosovës mund të pajisen me leje ndërtimore përmes komunikimit elektronik.

Përfaqësuesja e USAID-it, Merita Behluli prezantoi pakon informuese për pajisje me leje ndërtimore dhe mundësitë e lehtësimit të vështirësive në të mirë të qytetarit.

“Është konstatuar se qytetari e ka shumë vështirë të gjejë të gjitha dokumentet se si me apliku për leje ndërtimi. Gjithashtu është konstatuar se asnjë komunë nuk i zbatojnë në mënyrë të unifikuar procedurat dhe kërkesat për leje ndërtimi. Në të njëjtën kohë është konstatuar se edhe bizneset dhe profesionistët e fushës te cilët merren me përgatitjen e  dokumentacionit ndërtimor nuk e kane te standardizuar  prezantimin dhe përmbajtjen e atij dokumentacioni ndërtimor”

Behluli shtoi se pas kësaj është parë nevoja e një dokumenti vizual që t’u ndihmojë qytetarëve në aplikim të përgatitjes me certifikatë të ndërtimit.