Paqartësi brenda partisë lidhur me pozicionin e deputetes Albena Reshitaj në AAK
Kundërshtimi i deputetes Albena Reshitaj për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, ka krijuar paqartësi lidhur me pozicionin e saj brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, më 04.04.2024 e ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës dhe ka deklaruar se në cilësinë e nënkryetares së Komisionit për Arsim propozon që në vend të formimit të Komisionit Hetimor, çështja e subvencionimit të librave të trajtohet në Komisionin Parlamentar për Arsim.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e bashkpartiakja e saj, Time Kadrijaj e cila ka pyetur nëse Reshitaj është apo nuk është pjesë e AAK-së.
Kadrijaj ka thënë se kjo parti e përkrah secilin Komision Hetimor që propozohet për të sqaruar problematika.
“Kuptova që Albena ka folur në emrin e saj personal megjithatë në Komisionin për Arsim është në emër të grupit parlamentar të AAK-së për të prezantuar qëndrimet e AAK-së. Je pjesë e Aleancës. Atëherë zonja Reshitaj është mirë me u deklaru a je pjesë e AAK-së, se nëse nuk është atëherë është e drejta e saj dhe duhet me i lëshu këto komisione dhe nuk ka të drejtë t’i mbajë më shumë. Aleanca e përkrah secilin komision hetimor pavarësisht prej kujt thirret, sepse duhet sqaruar gjërat”- ka thënë Kadrijaj.
Reshitaj ka marrë fjalën prapë dhe ka akuzuar AAK-në se nuk e ka ftuar në takime e mbledhje të partisë.
Ajo ka shtuar se po vazhdon të mbetet në AAK për shkak të votave që ka marrë si pjesë e partisë.
“Unë kam vendos të jem në këtë situatë deri tani vetëm për hir të besimit të qytetarëve që unë kam marrë në ombrellën e një partie politike. Më vjen shumë keq por qasja dhe mënyra se si më kanë trajtuar deri më tani është e ditur dhe të gjithë qytetarët janë duke e vërejtur këtë çështje. Dhe unë nuk mund të marrë përgjegjësitë të flasë në emër të një grupi parlamentar sepse siç e dini të gjithë edhe nga të gjitha grupet parlamentare vendimi për ta marrë fjalën në emër të grupit vendoset nga grupi parlamentar”- është shprehur Reshitaj.
Edhe në të kaluarën, deputetja Albena Reshitaj ka dalë kundër vendimeve të partisë së saj, AAK-së.
Për dallim nga deputetët e tjerë të AAK-së, Reshitaj ishte deklarua pro vazhdimit të masave emergjente të energjisë elektrike në seancën e 03.10.2022.