Ministri Aliu u bën thirrje komunave të aplikojnë për projektin e banimit të përballueshëm

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte njoftuar se është hapur aplikimi për identifikimin e lokacioneve për objektet e banimit të përballueshëm në Kosovë.

Më 09.02.2024 ai u kishte bërë thirrje komunave që të aplikojnë në këtë thirrje, në mënyrë që të identifikohen lokacionet e duhura për këtë projekt. 

Ndërkohë sot, më 16.02.2024, ai i ka bërë të ditura kriteret për përcaktimin e lokacioneve për ndërtimin e objekteve të banimit të përballueshëm, si dhe dokumentet e nevojshme për aplikim.

– Lokacioni duhet të jetë i planifikuar me destinim për banim në dokumentet e planifikimit hapësinor në nivel lokal.

– Të ketë lidhshmërinë dhe qasshmërinë, kërkohet vendndodhja e tokës në afërsi me vendet e punës dhe me zonat e rritjes urbane.

– Të ketë infrastrukturën teknike, pra të ketë qasje në ujësjellës, kanalizim dhe në rrjetin elektrik.

– Të ketë infrastrukturën publike – qasje në arsim, shëndetësi, transport urban, parqet, lëvizshmëri të gjelbër.

– Të ketë dendësinë – efikasitetin e përdorimit të tokës (njësi për hektar) dhe shumëllojshmërinë në prototipin e banesave me dendësi.

– Të ketë konkurencë – me dokumente publike, politikë dhe të dhëna të disponueshme (p.sh. programi tre-vjeçar i banimit, kërkesat e regjistruara në banim dhe të tjera).

Ndërsa dokumentet e nevojshme për të aplikuar janë:

– Zotimi për ndarjen e lokacionit/eve (pacelës) duke siguruar infrastrukturën dhe të jenë të identifikuara dhe të disponueshme për projekte banimi (sipas PZHK apo HZK)

– Lokacioni/et duhet të përfshijnë informacione të detajuara mbi potencialin urbanistik, infrastrukturën dhe aksesin e tyre në trasport

– Pronësia e lokaiconit të jetë e Komunës ose e Agjensionit Kosovar të Privatizimit

– Fleta posedues e lokacionit

– Kopja e planit të lokacionit

– Caktimi i zyrtarit përgjegjës për fushën e banimit.

Afati për t’i paraqitur këto dokumente është deri më 22.02.2024, në 16:00h.

“Dokumentet mund të dorëzohen në arkivën e Ministrisë së Infrastrukturës me titull: “Projekti për banim të përballueshëm”. Për çdo pyetje shtesë, komunat mund të kontaktojnë Departamentin e Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banim/Divizion i Banimit/MMPHI” – thuhet në njoftimin e ministrit Aliu

Në anën tjetër, një marrëveshje në vlerë 25 milionë euro ishte nënshkruar më 25.01.2024 nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB), Carlo Monticelli, sa i përket banimit të përballueshëm për familjet e cenueshme, të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.

Ndërsa, në miratimin e programit qeverisës për vitet 2021-2025, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se do të mundësojnë banim të përballueshëm social për 4,000 familje me skemat 120×120 dhe 150×150.