Ekipi i KALLXO.com duke pyetur kryetarin e Këshillit të Etikës të UP - Iset Morina, dhe anëtarin e KE-së, Skender Muji

Kryetari i Këshillit të Etikës nuk përgjigjet për ankesat e tri punëtoreve të Stomatologjisë në UP ndaj dy asistentëve

Pas mbledhjes së Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës të datës 22.04.2024, ku u deklarua profesori i rregullt i Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, lidhur me denoncimin nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë se i ka ngacmuar seksualisht, kryesuesi i këtij Këshilli është pyetur edhe për dy raste të tjera të cilat janë deponuar në KE nga Fakulteti i Mjekësisë.


KALLXO.com ka raportuar se tri punëtore të Stomatologjisë në UP dhe SHSKUK – Albena Reshitaj, Nora Berisha dhe Nora Aliu, kanë treguar se si janë marrë Këshilli i Etikës i UP-së, Policia e Prokuroria me ankesat që ato i kanë bërë për raste të kërcënimeve dhe pengesave në mësim që, sipas tyre, kanë ndodhur në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.

“Ti me mu ki me pasë punë. Tash e tutje kam me të çu në organe të drejtësisë, kam me të hjekë prej shefes së Katedrës… Edhe u çuan në kambë të dytë edhe t’u m’u afru. M’u afruan me gisht, t’u ma bo te fytyra” – thotë profesoresha Albena Reshitaj, e cila e raportoi kërcënimin, sipas saj, që i ndodhi nga dy asistentët e Ortodoncisë, Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti, më 18.10.2023 në Fakultetin e Mjekësisë.

Tash 6 muaj pas raportimit publik të Albena Reshitajt për kërcënim brenda hapësirave të UP-së, Këshilli i Etikës i UP-së nuk e ka ftuar për intervistim as Reshitajn e as Nora Berishën, që ka qenë dëshmitare e këtij rasti. 

Sipas Reshitajt, kjo ngjarje ka ndodhur në një mbledhje në zyrë të saj. Prezente ishte edhe Nora Berisha, po ashtu asistente e Ortodoncisë.

Sokol Krasniqi, Blerim Mehmeti dhe Nora Berisha janë asistentë të lëndës Ortodonci Klinike, të cilën e ligjëron Reshitaj në Klinikën e Stomatologjisë, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë.

Blerim Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e asistentit në FM, sipas një dokumenti të datës 29.02.2024, të cilin KALLXO.com e ka parë.

Sipas këtij dokumenti, Mehmeti e ka arsyetuar dorëheqjen se nuk është avancuar me titullin profesor dhe se në këtë vendim, siç ka shkruar ai, ka qenë përcaktues ‘presioni jonjerëzor nga shefja e Katedrës së Ortodoncisë Albena Reshitaj’.

Sokol Krasniqi njëherazi është edhe shef i Klinikës së Stomatologjisë, ndërsa Reshitaj shefe e Katedrës së Ortodoncisë dhe deputete në Kuvendin e Kosovës.

Reshitaj e kishte paraqitur kërcënimin më 18.10.2023 në Polici. Kur KALLXO.com dërgoi pyetje në Polici e Prokurori lidhur me këtë rast, Prokuroria e Prishtinës e konfirmoi më 15.03.2024 se ende janë duke kryer hetime për këtë rast.

I gjithë ky konflikt mes tyre, sipas Reshitajt, kishte lindur për shkak të insistimit të asistentëve Mehmeti dhe Krasniqi që Reshitaj, si shefe e katedrës së Ortodoncisë, të kërkonte nga UP-ja që të hapte konkurs për profesor në Fakultetin e Mjekësisë në mënyrë që ata të kishin mundësinë të avancoheshin në pozita të profesorit.

Sokol Krasniqi dhe Blerim Mehmeti, asistentët e Ortodoncisë, kur janë kontaktuar nga KALLXO.com e kanë mohuar se e kanë kërcënuar Reshitajn.

Një muaj pas kërcënimit që e raporton Reshitaj, Sokol Krasniqin e raportojnë edhe dy kolege të tjera të Ortodencisë, Nora Aliu dhe Nora Berisha (dëshmitare në rastin e Reshitajt) të cilat, në ankesën e deponuar thonë që Krasniqi i ka penguar në mbajtjen e procesit mësimor. 

Kjo ankesë, të cilën Kallxo.com e ka parë, është deponuar në Fakultetin e Mjekësisë më 08.11.2023, dy ditë pasi ka ndodhur.

Aliu, asistente në Ortodonci, ka shpjeguar për KALLXO.com se Sokol Krasniqi i kishte penguar në orën e mësimit përderisa kanë qenë me studentë, pacientë dhe të tjerë. Sipas saj, Krasniqi nuk e kishte lejuar atë dhe Nora Berishën të marrin masa të nofullave të pacientëve për proteza të dhëmbëve gjatë punës dhe i kishte ndjekur pas kur ato kishin shkuar ta raportojnë.

Krasniqi ka mohuar të jetë fajtor edhe për kërcënim edhe për pengim në mësim.

Sipas përgjigjeve të Fakultetit të Mjekësisë për KALLXO.com, rasti i kërcënimit që Reshitaj pretendon se ka ndodhur më 18.10.2023 dhe ankesa e asistenteve Nora Berisha dhe Nora Aliu ndaj Sokol Krasniqit, janë të deponuara në KE të UP-së.

Në përgjigjen e tyre nga Fakulteti i Mjekësisë thonë se për ankesën e asistenteve ndaj Krasniqit, KE ka marrë vendim për pushim të procedurave të filluara ndaj Krasniqit, më 02.04.2024.

“Me datë 03.04.2024, menaxhmenti i FM-së ka pranuar Vendimin e Këshillit të Etikës me datë 02.04.2024 lidhur me ankesën nga ass.dr.Nora Berisha dhe ass.dr.Nora Aliu, për pengimin e procesit mësimor, duke theksuar në vendim të Këshillit të Etikës të UP për pushimin e procedurave të filluara ndaj Ass. Dr. Sokol Krasniqit” – janë përgjigjur nga FM më 04.04.2024.

Këshilli i Etikës, i përbërë prej katër burrave, nuk i ka dhënë Kallxo.com-it vendimin për të parë se ku është bazuar kur e ka marrë këtë vendim pa i ftuar kurrë për t’u intervistuar Nora Berishën dhe Nora Aliun, që e kishin raportuar rastin. 

Katër burrat që e përbëjnë KE-në janë: Iset Morina (kryetar i KE) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Këshillin e Etikës më 22.04.2024, për të kuptuar se pse nuk janë intervistuar palët pothuajse gjashtë muaj pasi kanë ndodhur këto raste.

Andaj, ekipi i KALLXO.com ka insistuar pas mbledhjes së KE-së të mbajtur për profesorin Xhevat Krasniqi, që të marrë përgjigje për këto dy raste nga kryetari i KE-së, Iset Morina por ai nuk është përgjigjur. Përveç tij, për këto raste, KALLXO.com e ka pyetur edhe anëtarin e KE-së, Skender Muji.

Kur KALLXO.com ka përmendur rastin e Reshitajt, e cila pretendon se është kërcënuar nga Sokol Krasniqi e Blerim Mehmeti, Muji ka thënë se “ajo është lëndë në Gjykatë” dhe se “është në proces (në KE)”.

Ndërsa, kur ai është pyetur se a i ka parë pyetjet që KALLXO.com i ka dërguar për rastin e Reshitajt dhe ankesën e asistenteve Nora Berisha dhe Nora Aliu ndaj Sokol Krasniqit, ai e ka pohuar se i ka parë në telefon.

“E kam pa vetëm në telefon (Iphone) se kam pasë mësim deri ora 11:00” – është përgjigjur Muji.

Sipas tij, si Këshill nuk kanë pasur kur të takohen për të diskutuar lidhur me këto pyetje, pasi ai vetë tha se ka qenë në ligjëratë.

“Do të ulemi na si Këshill edhe bisedojna, shiqojna” – tha ai.

Kur KALLXO.com i ka thënë Mujit se palët e këtyre dy rasteve nuk janë ftuar për t’u intervistuar nga KE, sipas asaj që kanë konfirmuar këto palë, ai ka përmendur dorëheqjen e Blerim Mehmetit nga pozita e asistentit në FM.

KALLXO.com e ka pyetur Mujin se çka ka dashur të thotë lidhur me dorëheqjen e Mehmetit.

“Po kurrgjë, po tash a po e sheh dalin përherë materiale të reja, na s’mundemi…” – ka shtuar Muji.

Se pse nuk i kanë ftuar për t’i intervistuar palët deri më sot, Muji është arsyetuar se u ka dalë punë me rastin e raportuar ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual.

“Po pse ky rasti (i raportimit të studenteve për ngacmim seksual ndaj profesorit Xhevat Krasniqi) tashti na i ndërprejti krejt punët tjetër çka kena pasë, rasteve tjera” – ka deklaruar Muji.

Pasi KALLXO.com ka insistuar duke thënë se palët nuk janë intervistuar prej muajit tetor 2023, Muji ka përmendur një rregullore sipas së cilës nuk mund t’i thërrasin menjëherë për t’i intervistuar.

Përkundër që sipas rregullores për masat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, të datës 11.04.2017 në paragrafin 6 të nenit 7, definohet periudha brenda së cilës KE fton palët për intervistim lidhur me rastin, në këtë rast, shkeljen disiplinore të raportuar nga punëtoret e Stomatologjisë të UP-së.

“Intervistimi bëhet sa më shpejt që është e mundur pas paraqitjes së shkeljes së dyshuar, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke siguruar se shkelësi i dyshuar është njoftuar dy ditë pune më herët” – thuhet në paragrafin 6 të nenit 7, në rregulloren për masat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së, të datës 11.04.2017.

“Po nuk mundemi menjëherë m’i thirrë ashtu. Po jo, nuk është ashtu (rregullorja). Na e kemi, Këshilli (i Etikës) e ka Rregulloren e Punës, të cilës duhet me iu përmbajtë” – është shprehur Muji.

Ekipi i KALLXO.com ka vazhduar ta pyesë Mujin se çka thotë Rregullorja e Punës e KE-së. Sipas tij, kjo Rregullore thotë që kur denoncon dikush duhet të njoftohet i denoncuari, pastaj të deklarohet.

Se a ishte deklaruar Sokol Krasniqi për të dy rastet që kanë ngritur ndaj tij – Albena Reshitaj, Nora Aliu e Nora Berisha, Muji tha se i kanë marrë deklarimin e tyre dhe po ashtu ka përmendur një rast tjetër ku i është refuzuar ish-dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu një ankesë, sipas së cilës, Muji tha se Sokol Krasniqi nuk ka qenë në punë.

“Po, e kena ba, e kena shkëmby, kena marrë ato deklarimet e tyre bile ai ka pasë dy denoncime, një u kanë edhe në Këshill të Komisionit disiplinor që e kanë refuzu ankesën e dekanes që s’u kanë në punë kishi (Sokol Krasniqi)” – ka thënë Muji.

Mirëpo, se pse nuk është intervistuar deri më sot Sokol Krasniqi, Albena Reshitaj, Nora Berisha e Nora Aliu, ai ka thënë se nuk kanë mundur t’i intervistojnë pasi kanë pasur plot raste të tjera në KE.

“Po, s’kemi mujtë bre se kemi pasë plot raste, tani këto shkëmbimi i letrave të merr kohë” – tha ai.

KALLXO.com gjithashtu për këto dy raste në Stomatologji të UP-së e ka pyetur rektorin e UP-së Qerim Qerimi se a do të kërkojë llogari nga KE për mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Po ashtu edhe Këshilli Drejtues nuk është përgjigjur se a do t’i kërkojë llogari rektorit Qerimi në rast se ai nuk ka kërkuar llogari nga KE për trajtimin e këtyre rasteve.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë, shtatë prej tyre burra dhe dy gra: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela Turjaka (zëvendëskryesuese e KD-së) dhe anëtarët – Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi.