Mungon ministri Liburn Aliu, shtyhet shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk ka qenë prezent në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike ku ka qenë i ftuar.

Për këtë arsye, shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, është shtyrë për javën e ardhshme.

Propozimi për të shtyrë shqyrtimin e këtij raporti ka ardhë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision.

Ndërsa, për këtë kërkesë pati kundërshtime nga deputetët opozitarë të cilët kanë quajtur papërgjegjësi mungesën e ministrit Aliu.

Deputetja nga AAK-ja, Albana Bytyqi ka thënë se raporti duhet të shqyrtohet dhe të përfundohet sot më 20.02.2024.

“Mendoj qe ky raport duhet me u shqyrtu sot se e kemi pa edhe në seanca plenare që ministri asnjëherë nuk është as për pyetje parlamentare, kam pyetje që prej verës po presin përgjigje. Kisha kërku qe ky raport sot me u shqyrtu dhe me u përfundu”- tha Bytyqi.

Edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se ministri duhet t`i harmonizojë agjendat.

“Pajtohem që është papërgjegjësi, realisht kur ofrohen mundësitë për disa data, e konfirmohet njëra pastaj tjetra. Ai mund të ketë takime të tjera, por ai duhet të harmonizojë agjendat. Deputetët e LVV-së po e harrojnë një interpretim të zyra ligjore që kryetarët e komunave nuk e kanë obligim ligjërisht me qenë në takimet apo raportimet para komisionit. Megjithatë unë mendoj që është raport që e kemi lexuar të gjithë që dallon. Duhet të diskutojmë për çështjen e këtij raporti”- tha ai.

Ndërsa, deputeti i LVV – së, Visar Korenica tha se nuk është në rregull që ministri mungon sot, duke shtuar se të njëjtit duhet t’i jepet edhe një shans për takim më 27.02.2024.

“Nuk është në rregull qe nuk ka ardhë, konsideroj që duhet të ja japim edhe një shans me 27 shkurt”- tha Korenica.

Pas diskutimeve, kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami konstatoi që shqyrtimi i këtij raportu shtyhet për datën 27.02.2024.