Takimi i ministrit Beqaj me ambasadorin francez në Kosovë, Foto: MIN

Ministri Beqaj priti në takim ambasadorin e Francës në Kosovë

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka pritur në takim ambasadorin francez në Kosovë, Didier Chabert.

Ndër temat që u diskutuan në takim ishin mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës dhe shfrytëzimi i ideve inovative në dobi ekonomike.

“Mundësitë e krijimit të lidhjeve ekonomike, krijimi i vendeve të punës dhe shfrytëzimi i ideve inovative të të rinjve tanë për të rritur mundësitë e bashkëpunimit, ishin temat kryesore të këtij takimi”, ka thënë Beqaj.

Ambasadori Chabert e ka pranuar kërkesën e Beqajt për ekspertizë për procesin e selektimit të përfituesve të programit për financim të NVM-ve dhe bizneseve fillestare Start-up.

Gjatë takimit me ambasadorin francez në Kosovë Didier Chabert, ministri Beqaj e informoi mysafirin për potencialin e të rinjve të Kosovës dhe idetë e tyre inovative, që do ta bëjnë ndryshimin e ekonomisë së Kosovës duke e shndërruar atë në ekonomi digjitale.