Gjykimi r hidrocentralet (02.11.22), Foto: KALLXO.com

Rasti "Hidrocentralet", gjyqi ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 drejt parashkrimit absolut

Kanë mbetur më pak se dy muaj para se të arrihet parashkrimi absolut i rastit të njohur si “Hidrocentralet”.

Me parashkrim absolut kuptohet se lënda vjetërsohet, çka nënkupton se asnjë veprim nuk mund të merret më nga gjykata, pra rasti nuk mund te gjykohet tutje dhe nuk merret vendim meritor për palët e akuzuara.

Sipas legjislacionit, parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Në këtë rast të akuzuarit Mimoza Kusari-Lilaj, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha e Arben Xhuka akuzohen për vepër penale  – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, që dënohet me 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Për këto vepra Kodi Penal ka paraparë që parashkrimi absolut arrihet kur kalojnë më shumë se 10 vite nga momenti i kryerjes se veprës penale.

Vepra në fjalë është kryer më 8 maj të vitit 2013, ndërsa parashkrimi sipas kësaj llogaritjeje arrin më 8 maj të këtij viti.

Të akuzuar për këtë rast janë katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Kusari- Lila, Gashi, Rashiq, Beqaj, si dhe Hoxha e Xhuka.

Aktakuza ka të bëjë me privatizimin e katër hidrocentraleve.

866 ditë kanë kaluar që nga mbajtja e shqyrtimit fillestar për këtë rast, ku të akuzuarit atë kohë ishin deklaruar të pafajshëm për veprat që u viheshin në barrë.

Lidhur me këtë rast ende nuk ka një epilog përfundimtar, ani pse lënda është për shqyrtim në Gjykatën e Apelit pas ankesës së Prokurorisë Speciale pasi që Gjykata në Prishtinë në nëntor të vitit që lamë pas kishte marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Tetë maji i këtij viti pritet që përfundimisht ta parashkruajë rastin e njohur si “Hidrocentralet”, duke marrë për bazë që veprat penale të kryera sipas aktit akuzues nga të pandehurit kanë ndodhur më 8 maj të vitit 2013.

E shtatë vite pas ishte ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale, saktësish në prill të vitit 2020.

Të njëjtit akuzoheshin nga Prokuroria që kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu (ka pushuar ndjekja penale ndaj tij), anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 8.5.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.