Gjykimi r hidrocentralet (02.11.22), Foto: KALLXO.com

Thuhet fjala përfundimtare nga të akuzuarit në rastin e 'Hidrocentraleve'

Procesi gjyqësor, të cilin janë të përfshirë figura të larta të politikës, ish-ministra në Qeverinë Thaçi 2, është duke shkuar drejt fundit.

Rasti i “Hidrocentraleve”, për privatizimin e katër hidrocentraleve, në të cilën janë të akuzuar katër ish-ministra të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha si menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e Arben Xhuka si drejtor menaxhues i KEK-ut.

Në seancën e sotme u thanë fjalët përfundimtare nga Mimoza Kusari-Lila, Arben Gjuka si dhe Dardan Gashi. Pasi që mbrojtja e Besim Beqës dhe Fllaza Hoxhës fjalën e tyre përfundimtare e kishin dhënë në seancën e 28 tetorit.

Mimoza Kusari Lila në fjalën përfundimtare kërkoi nga trupi gjykues që të hidhet poshtë aktakuza pasi që sipas saj argumentit për vepër penale nuk i është bashkëngjitur asnjë fakt.

“Si e akuzuar në këtë rast padrejtësisht, bëj thirrje që kjo akuzë të hidhet poshtë…, Argumentit për vepër penale nuk i është bashkëngjitur asnjë fakt”- tha Kusari-Lila.

Kusari- Lila tutje tha që nuk është e mundur që një njeri me mendje të shëndoshë dhe me përkrahje publike t’i shkaktoj dëm vendit dhe vetës.

“Si mundet me mendje të shëndoshë një njeri me përkrahje publike t’i krijojë dëm vendit dhe t’i shkaktojë dëm vetes…, me gjykim dyvjeçar e me hetim 5-vjeçar, argumenti për vepër penale nuk i është bashkëngjitur asnjë fakt…” – tha për fund Kusari Lila.

Ndërsa i akuzuari Dardan Gashi tha që prokurori ka insistuar në vazhdimësi që është shkelur ligji edhe pse ai e ka parë që nuk është ashtu.

“Unë që dy vjet vij këtu po habitem edhe në fjalën përfundimtare të prokurorit, i cili ka pasur mundësi të mësoj nga ky proces si funksionon privatizimi si citohet një ligj, për dy vjet insiston që u shkel nië ligj e në fund e ka parë që nuk u shkel ai ligj por prap nuk e pranon”- tha Dardan Gashi

Ai për fund tha që aktakuza e Prokurorisë Speciale është dashakeqe dhe se të vetmit të dëmtuar në këtë raste janë vet të akuzuarit.

”Aktakuza është dashakeqe sepse nuk besoj që prokurori nuk është inteligjent me kuptu që ka gabu. Pala e dëmtuar jemi ne në këtë proces”-  tha në fund Gashi.

Ndërsa mbrojtësi i Arben Gjukës, Flamur Bllacaku, kërkoi nga gjykata që pas administrimit të provave të merret një vendim meritor.

“Kërkoj nga ju që me objektivitetin me të madh me i shqyrtu të gjitha provat dhe të merrni një vendim meritor”- u shpreh  Bllacaku

E për fund i akuzuari Arben Gjuka tha se “kjo aktakuzë është ndërtuar mbi ligjin e dostave dhe të kralave”.

Gjykata në lidhje me këtë rast përfundimisht do të vendos më 8 nëntor të këtij viti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu (ka pushuar ndjekja penale ndaj tij), anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë ‘Thaçi 2” theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.