Rasti ‘Hidrocentralet’, ish-ministri Besim Beqaj jep mbrojtjen

Në Gjykatën e Prishtinës kanë dhënë mbrojtjen e tyre të akuzuarit në rastin e njohur “Hidrocentralet”.

Të akuzuar në këtë rast janë: ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, si dhe Arben Gjuka dhe Fllanza Hoxha, në lidhje me privatizimin e katër hidrocentraleve.

Besim Beqaj, Arben Gjuka dhe Nenad Rashiq u shprehën se do të deklarohen në lidhje me veprën që iu vihen ne barrë. Ndërsa Fllanza Hoxha dhe Dardan Gashi shprehen dëshirën e tyre të mbrohen në heshtje.

Besim Beqaj filloi mbrojtjen e tij duke treguar  detyrat dhe përgjegjësit e ministrit të financave, post të cilin e mbante në vitin 2013.

Tutje Beqaj mbrojtjen e tij e vazhdoi duke treguar që ishte vendimi i Kuvendit, vendim i cili kishte filluar procesin e privatizimit të hidrocentraleve, pastaj i njëjti ka derivuar me vendim të qeverisë dhe pastaj tek KQP-së si realizuese i atyre vendimeve.

Sipas Beqajt vendimi i Kuvendit për privatizimin e aseteve ka qenë vendim i marrur para se ky i fundit të emërohej ministër.

“Vendimi i Kuvendit për privatizimin e aseteve të shpërndarjes dhe furnizimit ka qenë vendim i marrur para se unë të emërohem ministër”- tha ish-ministri Beqaj.

Në fund Beqaj theksoi se puna e tij është në harmoni të plotë me kërkesat e institucioneve dhe se asnjë veprim nga KQP nuk është marrë me tendenca për shkaktim të dëmit.

“Puna ime profesionale është në harmoni të plotë 100 për qind me kërkesat e institucioneve…, asnjë veprim nga Komisioni Qeveritar i Privatizimit nuk është marrë me çfarëdo lloj tendence për shkaktim të dëmit”- shtoi Beqaj.

I njëjti përmbylli deklarimin e tij dukë thënë që të vetmit të dëmtuar në këtë çështje penale janë personat të cilët janë të ulur në bankën e të akuzuarve.

“Te vetmit njerëz te dëmtuar këtu jemi ne që jemi në bankën e të akuzuarve”- tha për fund Beqaj.

Arben Gjuka dhe Nenad Rashiq do të paraqesin mbrojtjen e tyre më 19 tetor të këtij viti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu (Ka pushuar ndjekja penale ndaj tij), anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë ‘Thaçi 2” theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.

https://kallxo.com/tag/privatizimi-i-hidrocentraleve/