Foto-ilustrim

Arsyetimi i Gjykatës  lidhur me aktgjykimin lirues ndaj ministrave të Qeverisë “Thaçi 2” për privatizimin e hidrocentraleve

Gjykata e Prishtinës ka marrë aktgjykim lirues ndaj ish-ministrave të Qeverisë “Thaçi 2”: Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj, Dardan Gashi, si dhe Fllanza Hoxha e Arben Xhuka, të akuzuar në lidhje me privatizimin e katër hidrocentraleve.

Sipas aktgjykimit, të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata nuk ka gjetur se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria Speciale.

“Deri më tani në arsyetim të aktgjykimit janë shtjelluar faktet e pa kontestueshme të cilat i ka vërtetuar gjykata, kërkesat ligjore të veprës penale për të cilën janë të akuzuar të akuzuarit dhe faktin se me veprim apo mosveprim të akuzuarit nuk kanë konsumuar elementet e veprës penale. Më tej do të elaborohet gjendja faktike e gjetur në raport me të akuzuarit e kësaj çështje penale”- thuhet në aktgjykim.

Tutje Gjykata në aktgjykim thotë që gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave në këtë çështje penale nuk ka vërtetuar se të akuzuarit kanë keqpërdorur apo tejkaluar autorizimet e tyre dhe atë për faktet se organi akuzues nuk ka potencuar apo vërtetuar se cili akt ligjor është shkelur nga Komiteti Qeveritar për Privatizim (KQP), respektivisht të akuzuarit si anëtarë të KQP-së.

Tutje në aktgjykim thuhet se Prokuroria Speciale nuk ka potencuar se cilat detyra zyrtare këta të akuzuar i kanë tejkaluar apo nuk i kanë përmbushur dhe se nga cili akt këto detyra kanë buruar.

Ndërsa sa i përket pretendimit të Prokurorisë se të akuzuarit me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm KEK-ut për qiratë e koncesionimit të hidrocentraleve në shumën prej rreth 1 milion euro dhe dëmi i vlerës së investuar në këto hidrocentrale në shumën prej rreth 12 milionë euro, sipas Gjykatës nuk kanë mundur të vërtetohen nga ana e Prokurorisë Speciale me asnjë provë që i është shkaktuar dëm KEK-ut e në anën tjetër i është mundësuar përfitimi KEDS/Limak Calik.

Gjykata Themelore më 8.11.2022 kishte marrë vendim që t’i lirojë nga aktakuzat katër ish-ministrat e Qeverisë “Thaçi 2”: Mimoza Kusari Lilën, Nenad Rashiqin, Besim Beqajn e Dardan Gashin, si dhe Fllanza Hoxhën e Arben Xhukën për privatizimin e katër hidrocentraleve.

Në shpalljen përfundimtare të pranishëm ishin vetëm dy të akuzuarit, Nenad Rashiq dhe Besim Beqaj, ndërsa Mimoza Kusari Lila dhe Dardan Gashi nuk ishin të pranishëm.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu (ka pushuar ndjekja penale ndaj tij), anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kishin tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohej se të njëjtit kishin vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 8.5.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë “Thaçi 2” theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimit të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.