Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për privatizimin e hidrocentraleve, japin mbrojtjen të akuzuarit

Në gjykimin për rastin e hidrocentraleve në Gjykatën e Prishtinës sot kanë dhënë mbrojtjen të akuzuarit.

Në lidhje me privatizimin e katër hidrocentraleve të akuzuar janë ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, si dhe Arben Gjuka, drejtor menaxhues i KEK-ut dhe Fllanza Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar- menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Nenad Rashiq dhe Arben Gjuka sot dhanë mbrojtjen e tyre në lidhje me këtë rast përderisa Besim Beqaj kishte dhënë mbrojtjen e tij kurse Fllanza Hoxha, Dardan Gashi dhe Mimoza Kusari kanë shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje në seancën e kaluar.

Nenad Rashiq në mbrojtjen e tij tha që nuk qëndron pranë deklaratës të cilën e ka dhënë në Prokurori ani pse të njëjtën e kishte nënshkruar vetë.

Pasi që sipas tij prokurori e kishte bindur këtë të fundit se i njëjti (Nenad Rashiq) ishte prezent në votimin e datës 8 maj 2013, ani pse Rashiq kishte thënë që nuk e dinte nëse kishte votuar pasi që nuk i kujtohej nëse kishte marrë pjesë në votim apo jo.

“Gjatë pyetjeve kur prokurori më ka pyetur për votimin e datës 8 maj 2013, unë kam thënë se nuk e di që kam votuar sepse në asnjë formë nuk më kujtohet që kam qenë pjesë e votimit… Por pas insistimit dhe pas imponimit të prokurorit më ka bindur se kam qenë prezent dhe kam votuar” – tha Rashiq.

Tutje Rashiq ritheksoi se nuk kishte qenë prezent më 8 maj 2013, ditën kur kishte ndodhur votimi diskutabil.

“Prapë po e paraqes se nuk kam qenë prezent më 8 maj 2013 datën kur ka ndodhe ai votim diskutabil dhe siç kam qenë atë ditë të prokurori unë prej fillimit kam thënë që absolutisht do të bashkëpunoj se nuk ndihem fajtor edhe nuk kam vepruar në mënyrë të  kundërligjshme” – theksoi Rashiq.

Në seancë sot përpos Nenad Rashiqit mbrojtjen e dha edhe i akuzuari Arben Gjuka.

Arben Gjuka në lidhje  me katër hidrocentralet që janë objekt i akuzës tha që ishte i njoftuar pas fillimeve të hetimeve, kurse për shitjen e aseteve përmes procesit tenderues i njëjti tha që nuk kishte qenë në dijeni.

Gjuka tutje komentoi edhe ekspertizën financiare të ekspertit financiar ku tha që e njëjta përmbante të dhëna të pavërteta dhe të keqinterpretuara.

“Ky dokument mbante në çdo paragraf të pavërteta, të paargumentuara dhe keqinterpretime” – tha Gjuka.

Gjithashtu Gjuka për fund tha se eksperti ishte përgjigjur sipas vullnetit apo dëshirës së momentit dhe sipas tij ekspertiza ishte bërë sipas udhëzimeve që merreshin nga jashtë.

Seanca e radhës në lidhje me këtë rast pritet të mbahet me 28 tetor të këtij viti, kur do të thuhen fjalët përfundimtare nga palët.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.