Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Foto: EPA-EFE/Hayoung Jeon

Merkel Përshëndet Përparimin e Bisedimeve Greqi-Maqedoni për Emrin

Maqedonia dhe Greqia janë më afër se çdo herë tjetër në dekadën e fundit për një kompromis në debatin e tyre për ’emrin’, tha kancelarja gjermane Angela Merkel të mërkurën pasi priti në vizitë kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ishte e kënaqur nga përparimi i kohëve të fundit në bisedimet midis Maqedonisë dhe Greqisë mbi emrin e Maqedonisë, të cilat, nëse përfundojnë me sukses, do t’i përshpejtojnë ambiciet e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në.

“Jam shumë e kënaqur dhe e lehtësuar që … ka lëvizje në bisedime”, tha Merkel në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

“Në dhjetë vitet e fundit, zgjidhja nuk ka qenë aq afër sa është tani. Do të ishte e mrekullueshme nëse vështirësitë e mbetura mund të tejkalohen”, shtoi ajo.

Merkel vuri në dukje se për Gjermaninë që të mbaj anë në lidhje me këtë çështje të vështirë nuk do të ishte shumë e dobishme.

Ajo tha se do të marrë formën e një “arti diplomatik” për arritjen e kompromisit, duke shtuar se kjo nuk do të jetë e mundur përmes konferencave për shtyp, por vetëm nëse të dyja palët punojnë me zell “prapa dyerve të mbyllura”.

E pyetur për të specifikuar se kur Maqedonia mund të presë një ftesë për t’u bashkuar në BE dhe NATO, Merkel tha se nuk ishte çështje kohe, por shpejtësia në të cilën vendi dhe i gjithë Ballkani Perëndimor përmbushin disa reforma.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Zaev në Berlin qëkur qeveria e qendrës së majtë mori pushtetin majin e kaluar pas një krize të zgjatur dhe të trazuar politike.

“Dëshira jonë është t’i japim Evropës një lloj të ri të Ballkanit”, tha Zaev, duke e falënderuar pritësen e tij për mbështetjen e Gjermanisë në forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike me dhe midis vendeve të Ballkanit.

Vizita e Zaev në Berlin, e cila u përqendrua në mosmarrëveshjen e “emrit” dhe çështje të tjera, ka qenë në qendër të medias greke.

Një ditë para takimit të Zaev, zyra e Merkelit konfirmoi se kishte pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Alexis Tsipras dhe se ndër të tjera, të dy kishin shkëmbyer mendime për përpjekjet për të kapërcyer mosmarrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës.

Mosmarrëveshja përqendrohet në këmbënguljen e Greqisë se përdorimi i fjalës Maqedoni nënkupton një pretendim territorial ndaj provincës veriore greke me të njëjtin emër.

Athina këmbëngul se duhet gjetur një emër i ri që bën një dallim të qartë midis provincës greke dhe shtetit të Maqedonisë.

Si rezultat i mosmarrëveshjes së pazgjidhur, në vitin 2008, Greqia bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ajo gjithashtu ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, pavarësisht disa raporteve pozitive vjetore nga Komisioni Evropian mbi progresin e vendit.