Në Tiranë mbahet takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur”

Në Tiranë të Shqipërisë të hënën (20 dhjetor) do të mbahet takimi i radhës i nismës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë nikoqir i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiq do të qëndrojë në Tiranë më 20 dhe 21 dhjetor, për të marrë pjesë në takimin e kësaj nisme.

Lidhur me takimin e “Ballkanit të Hapur”, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se do të organizojë protestë mbarëkombëtare, pasi, siç ka thënë më 18 dhjetor, kjo nismë “është kërcënim kombëtar”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Fillimisht kjo nismë u quajt “Mini-Shengen” dhe parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” nuk bëjnë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Udhëheqësit në Kosovë argumentojnë se kjo nismë është e dëmshme, nuk është e ndërtuar mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe nuk pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor/REL/.