Limaj e Pacolli nuk e kalojnë pragun

Dy partitë e dy zëvendës-kryeministrave të Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli, do të mbeteshin jashtë Kuvendit të Kosovës nëse zgjedhjet parlamentare në vend do të mbaheshin këtë të diel.

Sondazhi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) tregon se NISMA Social Demokrate dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) janë poshtë 5 përqindëshit të votave që një parti duhet të ketë në zgjedhje për të siguruar ulëse në Kuvend.

Megjithatë, NISMA e Fatmir Limajt është shumë pranë pragut me 4.9 përqind të votave ndërsa AKR e Pacollit qëndron larg me vetëm 1.7 përqind.

Sondazhi i prezantuar sot tregon se LDK ka një distancë të ndjeshme ndaj partive tjera rivale.

Sipas këtij sondazhi, nëse zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbaheshin këtë të diel, 23.8 përqind e elektoratit do të votonin për LDK-në.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë e dyta në sondazhin e sotëm të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Megjithatë, PDK në këtë sondazh ka dalë me një epërsi të lehtë në përqindje ndaj vetëvendosjes.

Sondazhi tregon se nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, 18.4 përqind e votuesve do ta votonin partinë e kadri veselit përderisa 17.6 përqind e votuesve kanë zgjedhur Vetëvendosjen.

Kjo tregon se VV, pas ndarjes së partisë në dysh, e ka humbur epitetin e partisë më të votuar në vend.

Në zgjedhjet e kaluara, VV mori 32 deputetë duke dalë si partia më e votuar.

Në këtë sondazh të publikuar sot Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë e para.

AAK është partia e fundit e cila do ta kalonte pragun prej 5 përqind të votave për të marrë ulëse në Kuvend. Sondazhi tregon se 8.8 përqind e votuesve do të votonin për partinë e cila aktualisht drejton qeverinë e Kosovës.

NISMA Social Demokrate është vetëm pak nën pragun e kërkuar me 4.9 përqind ndërsa PSD ka marrë 2 përqind të votave të respondentëve duke lënë mbrapa AKR-në me 1.7 përqind dhe Alternativën me 0.6 përqind.

Për Listën Serbe janë deklaruar 4.1 përqind të respondentëve.