KSHC-ja refuzon ankesat e kolegjeve private për suspendimin akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, gjatë mbledhjes së sotme shqyrtuan disa ankesa të Bartësve Privat të Arsimit të Lartë të cilëve u janë suspenduar disa programe si pasojë e mosplotësimit të kritereve lidhur me stafin akademik të programeve për programet e studimit ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Akreditim të institucioneve të arsimit të lartë.

Anëtarët e Këshillit trajtuan ankesat e kolegjeve private rreth suspendimit të akreditimit si pasojë e mospërmbushjes së numrit të stafit akademik të përshtatshëm për programet e caktuara.

Ankesa e Kolegjit Dardania u cilësua si e pa argumentuar, pavarësisht insistimit të tyre që të kenë një raport pozitiv, prandaj edhe u vendos që rasti t’i dorëzohet Komisionit të Ankesave.

Kolegji Evropian i Kosovës sipas këtij Këshilli ka dy herë që dështon të akreditohet prandaj edhe ankesa e tyre u refuzua menjëherë, si dhe u kërkua informimi i MASHT-it dhe Inspektoratit të Arsimit rreth kësaj çështje në mënyrë që të mbyllet ky institucion.

Ndërsa, Kolegji Heimerer është ankuar për vendimin duke deklaruar se kolegji i tyre posedon stafin e duhur për programet e suspenduara. Por sipas KSHC-së ky kolegj nuk ka pasur stafin e njëjtë si në kohën kur është analizuar stafi për akreditimin e programeve, andaj edhe ankesa e tyre nuk qëndron.

KSHC-ja vendosi që edhe këtë rast ta dërgojë në Komisionin e Ankesave sepse sipas tyre, nuk lejohet që stafi i njëjtë të përdoret për dy programe. Ata deklaruan se programet janë suspenduar si pasojë e mungesës së stafit akademik dhe përgaditjes së tyre.

Kolegji Iliria gjithashtu kërkoi që të anulohet vendimi i marrë në mbledhjen e 53-të të KSHC-së, në mënyrë që të kenë mundësi të regjistrojnë studentët në vitin e ardhshëm akademik, në programet që u është tërhequr akreditimi për vitin 2018/19.

Prandaj, edhe kjo kërkesë iu dorëzua Komisionit të Ankesave. Njëjtë u veprua edhe me kërkesat apo ankesat e Kolegjit ISPE dhe UBT.

Gjatë mbledhjes u propozuan disa emra të ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm dhe u dakorduan që të kontaktohen dhe t’u propozohet që të jenë pjesë e Komisionit të Ankesave.

KSHC-ja deklaroi se do të angazhohet në krijimin e një rregulloreje për bordin e ankesave, si dhe theksuan se anëtarët e komisionit duhet të propozohen dhe emërohen nga bordi i agjencisë.

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës kishte kërkuar që t’u kthehet një program të cilit i ishte tërhequr akreditimi vitin e kaluar, prandaj edhe kishin dërguar emrat e dy profesorëve me gradën Phd.

Pesë anëtarë votuan pro heqjes së suspendimit të akreditimit dhe dy të tjerë abstenuan.

KSHC kërkoi që pjesë e grupit punues në ligjin për akreditim të jenë edhe dy persona nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Gjithashtu u vendos që të krijohet një modul i cili do t’ua sqarojë universiteteve dhe kolegjeve se cilat kurse dhe profesorë janë relevantë dhe cilët janë të dorës së dytë.

KSHC-ja diskutoi gjithashtu edhe për ofertën e disa donatorëve që duan të bëjnë digjitalizimin e agjencisë, në mënyrë që aplikimet e kolegjeve dhe universiteteve të bëhen në mënyrë elektronike.

Këshilli u njoftua edhe për kërkesën që i është bërë Policisë së Kosovës në lidhje me ish ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së AKA-së Sh. R., për dyshimet që kanë në lidhje me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe dyshimit se ka kryer vepra penale.