Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Arsimit reagon lidhur me pretendimet e drejtoreshës së Arsimit në Mitrovicë se rreth 38% e nxënësve nuk kanë tekste shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka reaguar lidhur me deklaratat e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, e cila ka thënë se 38 për qind e nxënësve nga klasat 1-5 ende nuk janë pajisur me tekste shkollore dhe se nxënësit që nuk kanë tekste shkollore po ndëshkohen nga mësimdhënësit.

Sipas MASHT-it, rastet e dënimeve ose ndëshkimeve të nxënësve siç ka pretenduar drejtoresha janë të papranueshme.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dërguar zyrtarët përgjegjës dhe ka angazhuar edhe Inspektoratin e Arsimit për t’i përcjellë nga afër pretendimet e deklaruara për çka do të përgatitet një raport i detajuar dhe do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet konform legjislacionit në fuqi”- thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë, ashtu si në të gjitha komunat e Kosovës edhe në Mitrovicë procesi i furnizimit me tekste shkollore për klasat 1-5 është duke u përmbyllur me sukses.

“Nuk kemi pranuar asnjë raport nga Drejtoritë Komunale për probleme me furnizim me tekste shkollore”- thuhet në reagim.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.

Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 12 milionë euro për subvencionimin e prindërve që kanë shpenzuar fonde për blerjen e teksteve për fëmijët e tyre.

Zëvendësministri Taulant Kelmendi e kishte quajtur të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit, për shkak se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese “kanë qenë tejet të larta”.

“Kemi raste kur një libër kalon shifrën 25 euro. Apo kur libri “shoqëria e punës” bashkë me fletoren e punës e klasës së tretë kap shifrën 27 euro. Kjo situatë është e papërballueshme”- kishte thënë Kelmendi në konferencën për media.