Kryetari i Lipjanit: Problemet Nuk i Solla Unë...

Dy vjet më parë, Imri Ahmeti si kryeopozitar i Lipjanit në kërkim të pozitës së kryetarit të komunës, kishte dhënë një premtim të madh.

Ai thoshte se do të t’i asfaltojë rrugët e të gjitha fshatrave gjatë mandatit të tij.

Tani Ahmeti ka ardhur në mes të mandatit, por ka ende fshatra që nuk kanë asfalt.

Përveç asfaltit, edhe në fusha tjera realizimi i premtimeve nuk i ka ecur si duhet.

“Nuk i kemi përmbushur krejt, por jemi në dinamikë të mirë të përmbushjes. Jam i sigurt se shumica e projekteve do të përmbushen, ndoshta ndonjë projekt i vogël do të mbetet për më tej për shkak se e kemi gjetur komunën në një gjendje të vështirë financiare, me shumë obligime”, thotë ai dy vjet më pas.

Por Ahmeti thotë se ka bërë punë më të mira kur është në pyetje lidhja e kontratave për asfaltim, pasi që i ka detyruar kompanitë t’i pranojnë disa kushte që kanë të bëjnë me cilësinë e punimeve.

“Secila kontratë e lidhur për asfaltim ka kontratë pesëvjeçare dhe kompania e ka për detyrë të ndërhyjë në meremetim kudo ku ka nevojë”, thotë ai.

Imri Ahmeti ka dalë përballë Jeta Xharrës dhe asamblistëve të Lipjanit në kuadër ciklit të debateve “Jeta në Komunë”.

Në zgjedhjet e vitit 2013 Ahmeti fitoi përballë Shukri Bujës së PDK-së në balotazh, pasi në raundin e parë asnjë kandidat nuk kishte fituar përqindjen e nevojshme të votave.

Edhe votat për asamble komunale ishin ndarë. Kësisoj, LDK dhe PDK tash kanë nga 10 këshilltarë komunalë, koalicioni AAK-LDD- IQL ka 5 këshilltarë, AKR 2, Vetëvendosje 1, Partia e Drejtësisë 1, Partia Social Demokrate 1 dhe Lista Serbe 1 këshilltar.

Ahmeti vjen nga fshati Torinë.

Rruga në këtë fshat është asfaltuar gjatë mandatit të Ahmetit.

Ky i fundit thotë se fshati i tij me vjet të tëra ka pritur një dorë që e asfalton këtë rrugë.

“Padrejtësisht ka qenë i paasfaltuar dhe është mirë që është asfaltu”, thotë ai.

Premtim tjetër i Ahmetit, ishte edhe hapja e rrugëve të reja si  Gadime- Smallushë- Sllovi, Sllovi- Gjilan, Baicë- Shalë, Vërshefc- Qylagë, po ashtu edhe ndërtimin e rrugëve tek varrezat në të gjitha fshatrat dhe në qytet dhe mirëmbajtja e tyre, ndërtimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve dhe funksionalizimi i tyre, si dhe ndërtimin e impianteve të nevojshme.

Ai thotë se mundtë ndodhë që ndonjë nga këto projekte të mbesë pa u përmbushur për shkak se e kishte gjetur komunën me mbi 7 milionë euro borxhe dhe i ishte dashur që t’i shlyejë ato.

Florent Hoxha, asamblist nga radhët e PDK-së tha se premtimi i kryetarit për përmbylljen e asfaltimit për të gjitha rrugët nuk është realizuar.

Ai kërkoi që kur të bëhet planifikimi i rregullimit të rrugëve të bëhet saktësisht se cilat rrugë do të rregullohen pasi që rrugët janë të emërtuara.

Si premtim i kryetarit Imri Ahmeti ishte edhe ndërtimi i shkollave në fshatrat Mirenë, Brus, Torinë dhe fshatin Bregu i Zi.

“Shkollat e reja nuk i kemi nisur asnjë, po besoj që vitet në vijim nga MAShT-i do të futen shkolla e Magurës. E nevojshme është edhe në Mirenë bashkë me Rubovcin, ndërsa në Brus është fituar një donacion dhe në pranverë do të fillojë implementimi i saj”, tha Ahmeti.

Asamblisti Nazmi Krasniqi nga PDK-ja e akuzoj DKA-në në Lipjan për nepotizëm. Ai përmendi dy drejtorë të shkollave për t’i ilustruar shembujt. Ai përmendi Semir Gashin, drejtor në gjimnazin Ulpiana i cili, sipas Krasniqit, që është mik i kryetarit të komunës dhe Adem Ajnunin drejtor në fshatin Dobrajë, i cili është vjehrri i kryesueses së asamblesë komunale.

Kryetari Ahmeti ju përgjigj Semir Gashi nuk është mik i tij.

“Semir Gashi është miku i vëllait, nuk është mik i imi dhe se ai ka qenë drejtor edhe më herët deri sa ju kur keni ardhur dhe e keni larguar, është kthyer pasi që ka konkurruar prapë”, tha Ahmeti.

Asamblisti Krasniqi tha vjehrri i kryesueses së asamblesë komunale nuk i ka as trajnimet për udhëheqje arsimore.

Kryesuesja Vlora Nimani Hajnuni tha se ajo nuk është drejtoreshë e arsimit dhe se vjehrri i saj është profesor më shumë se 40 vite, dhe se ai kishte punuar si drejtor para se ajo ta ketë vjehërr.

“Është mirë të thuhet se vjehrri im është profesor i historisë më shumë se 40 vite dhe ka qenë drejtor deri në 2008, kur unë nuk e kam pasur vjehërr dhe se e ka licencën për menaxhim në shkolla”, tha Hajnuni.

Moderatorja e pyeti Ahmetin se a e ka punësuar gruan e djalit të axhës, ndërsa kryetari u përgjigj se ata kanë vendosur disa parime.

“Kemi vendosur parimet bazë, kemi thënë se asnjë prej neve vëllain, gruan, djalin këtu nuk ka me u punësuar”, tha Ahmeti.

Në debat u përmendën edhe kontejnerët nëntokësorë që janë të mbushur dhe nuk po mund të zbrazen mbeturinat nga to pasi që nuk ka një kamion special i cili mund t’i marrë ato mbeturina.

Ahmeti tha se ose duhet ta zgjedhë këtë problem kompania “Pastrimi” ose do t’ia ndërpresë kontratën dhe do ta shpallë tenderin për një kompani të re.

Kur një këshilltar i Partisë Social Demokrate ia numëron disa probleme kryetarit të komunës, ai i pranon ato.

Por shfajësohet disi.

“Problemet nuk i solla unë, por i gjeta aty”, tha Imri Ahmeti.