Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

E keqpërdorën emrin e tij kinse për të ndihmuar një fëmijë, kryetari i Lipjanit kërkon ndërhyrjen e Policisë

Komuna e Lipjanit ka reaguar rreth dyshimeve se persona të panjohur dhe të paautorizuar kanë keqpërdorur iniciativën kinse për të ndihmuar raste sociale apo raste me sëmundje të ndryshme.

Sipas njoftimit, nga qytetarët në Prishtinë është hasur një iniciativë kinse për ndihmuar një fëmijë nga Lipjani.

Po ashtu, Komuna ka mohuar se kjo iniciativë është bërë me mbështetjen e kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti.

“Kryetari Ahmeti është shprehur i habitur dhe i indinjuar për veprimet të tilla duke e bërë të qartë se ai nuk ka lidhje me këtë veprim dhe distancohet plotësisht nga çdo përdorim i paligjshëm i emrit të tij për qëllime personale apo përfitime të tjera të paligjshme”- thuhet në reagimin e Komunës.

Ndërsa, tutje thuhet se Ahmeti ka bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të plotë të rastit.

“Kryetari Ahmeti ka bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të plotë për të zbardhur çdo rast të keqpërdorimit të emrit të tij dhe të sigurojë që ata persona të përfshirë në këtë veprim të hetohen dhe ndëshkohen në përputhje me ligjin. Këta persona për herë të fundit janë parë sot në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë te banesat e gurit, rruga “Besim Sahatçiu”, Mati1, duke kërkuar të holla për familjen Krasniqi”- thuhet në njoftim.

Lidhur e rastin, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.