Ilustrim

Dëshmi se shteti injoron fëmijët që braktisën shkollën në Lipjan

Dy nxënës së shkollës “17 Shkurti” në Gllogovc të Lipjanit nuk janë duke i vijuar mësimet më. Për shkak të numrit të madh të mungesave këta nxënës kanë mbetur pa u notuar në gjysmëvjetorin e parë.

Zgjidhja që u është mundësuar dy të miturve nga drejtoria e shkollës është që notimin ta marrin në fund të vitit përmes provimeve.

Për këtë rast nuk është njoftuar Qendra për Punë Sociale në Lipjan.

Ndërsa drejtori i Arsimit i Komunës së Lipjanit përgjegjës për rastin i ka lënë drejtorin e shkollës dhe mësimdhënësit.

Ligjërisht personi përgjegjës për t’ia mundësuar fëmijës vijueshmërinë në shkollë është prindi.

Neni 15 i Ligjit për arsimin Parauniversitar photë se “Vijimi i shkollimit të detyruar nga ana e nxënësit është një përgjegjësi kryesore e prindit”.

KALLXO.com ka kontaktuar me F.R., prindin e njërit prej nxënësve, që njëkohësisht është edhe familjar i afërt i nxënësit të dytë, për ta pyetur se pse fëmijët nuk po i vijojnë mësimet.

“Vallahi motër s’e di, mos u merr me mu se s’kam vakt me u marrë me kësi sene, i kam gajlet e mia. Kaloni mirë!” – ka qenë përgjigjja e tij.

Pse dy të miturit nuk po vijojnë mësimet?

Drejtori i shkollës, Mehmet Rashiti, ka konfirmuar për KALLXO.com se dy nxënës të kësaj shkolle momentalisht nuk janë duke e vijuar mësimin.

Ai ka thënë se ata përmes procedurave do të futen në provime të klasës në fund të vitit mësimor, kjo pasi të njëjtit kanë numër të madh të mungesave, gjë e cila ua ka pamundësuar të jenë nxënës të rregullt.

Rashiti tha se udhëzimi administrativ që e rregullon çështjen e notimit të nxënësve thotë se nëse një fëmijë nuk ndjek një të tretën e mësimit, ai nxënës duhet t’i nënshtrohet provimit të klasës.

“Nëse thirremi në aspektin se shkollimi fillor është obligativ, atëherë është detyrë e prindit që të sigurojë vijueshmëri të rregullt të fëmijës gjatë gjithë kohës” – tha drejtori.

Rashiti tregoi për KALLXO.com se kujdestarja e klasës ku kanë vijuar mësimin nxënësit ka komunikuar shumë herë me prindërit e tyre.

Ai tregoi se edhe në ditarin e klasës ajo ka evidencë që kur dhe sa herë është kontaktuar familja.

“99 për qind të rasteve kurrë nuk i janë përgjigjur thirrjes” – u shpreh drejtori i shkollës.

Tutje drejtori tha se fëmijët nuk kanë probleme shëndetësore dhe se familjet nuk kanë probleme me aspektin material.

Prindi ‘nuk ka kohë’ të diskutojë për problemin e djalit të tij

Teksa Ligji përcakton që prindi duhet të jetë përgjegjës që fëmija i tij të ketë mundësinë që të vijojë shkollimin e obligueshëm, F.R., babai i njërit prej nxënësve, tha se ‘nuk ka kohë’ të diskutojë për këtë çështje.

KALLXO.com përmes një bisede telefonike pyeti F.R. se pse djali i tij nuk i ka vijuar mësimet tash e një kohë në shkollë, e ai shkurtimisht tha: “Çka e di unë? Çka po thu me bo tash?”.

Prindi në fjalë madje tha se as nuk është i informuar që djalit të tij i është mundësuar që notimin ta kryejë me provime në fund të vitit.

Kur u pyet nëse në të njëjtën situatë është djali i vëllait të tij, F.R. konfirmoi që kjo është e vërtetë, por edhe në këtë rast ai tha se nuk ka ndonjë informatë se çfarë ka ndodhur edhe me nipin e tij.

“Vallahi motër s’e di, mos u merr me mu se s’kam vakt me u marrë me kësi sene, i kam gajlet e mia. Kaloni mirë!” – ishte përgjigjja e F.R. para se të mbyllte telefonin.

DKA ia lë përgjegjësinë shkollës

Drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani, përgjegjës për këtë rast la shkollën.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës tha për KALLXO.com se kërkoi nga DKA që të zbatohet neni 15 i Ligjit për arsim parauniversitar.

Rashiti tha se për këtë çështje nuk ka ndonjë përgjigje nga Drejtoria e Arsimit në Lipjan.

“I kam sugjeruar me shkrim DKA-së që për këta dy fëmijë të kontaktohet Qendra për Punë Sociale dhe të shikohet ose të zbatohet neni 15 i Ligjit për arsim parauniversitar që e mban përgjegjës prindin për rrjedhshmërinë e fëmijës në shkollë” – tha Rashiti.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit tha se janë të njoftuar për rastin, por tha se në këtë rast përgjegjës mbesin mësimdhënësit e drejtoria e shkollës.

“Ekziston legjislacion edhe ekziston përgjegjësi për secilin veprim ose punë për secilin person përgjegjës, se në këtë rast përgjegjës janë mësimdhënësit dhe drejtoria e shkollës për me zgjidhë problemin” – u shpreh ai.

Tutje Hasani tha se kanë biseduar me drejtorin e shkollës në formë verbale dhe e kanë trajtuar si problem.

Hasani shtoi se e kanë orientuar Rashitin që të veprojë konform legjislacionit, i cili tha se e ngarkon atë si përgjegjës dhe shkollën që me zgjidhë problemin.

QPS as edhe një informacion për dy të miturit që nuk po vijojnë mësimet

Për dy fëmijët që nuk janë duke vijuar mësimet më në Gllogovc të Lipjanit, Qendra për Punë Sociale përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë për KALLXO.com se nuk janë të njoftuar për rastin.

“Ju njoftojmë që QPS-Lipjan nuk ka qenë në njohuri për rastin konkret nga asnjë Institucion, nuk ekziston si lëndë në asnjërën data-bazë apo në evidencat e QPS-Lipjan si dhe nuk kemi ofruar shërbime për dy nxënësit asnjëherë” – thuhet në këtë përgjigje.

KALLXO.com pyeti drejtorin e Arsimit se a është njoftuar QPS për këtë rast, teksa ai tha se nuk ka informacion për këtë.

“Nuk kam informacion, mund të ndodhë që është, nuk kam informacion” – tha Hasani.

Tutje ai pranoi se në këtë rast do të duhej të kishte bashkëpunim mes DKA-së dhe QPS-së.

“Realisht, bazuar në informacione, bashkëpunim sigurisht që duhet me pasë edhe ka vazhdimisht, mirëpo bazuar në informacionet të drejtorit, ata dy fëmijë kanë mbetur pa notë në një moment të caktuar, mirëpo e plotësojnë kushtin që të iu mundësohet (nuk kuptohet). Gjithashtu është me rëndësi që ata fëmijë të kthehen në shkollë” – tha Hasani.

Drejtori i Arsimit shtoi se edhe pse nxënësit kanë mbetur pa notë atyre legjislacioni ua mundëson që t’i përcjellin lëndët deri në fund, në mënyrë pastaj të jenë të suksesshëm në provimet eventuale të klasës për ata nxënës.