Furgoni i IML-së në vendin ku u gjet trupi i policit Armend Trena - Foto: KALLXO.com

Kryeprokurori Jashari flet për gjendjen e veturës me të cilën policët ranë në Lepenc

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se sipas provave të siguruara deri më tani rasti i dy policëve tashmë të ndjerë, Armend Trena e Malsor Dashi, është aksident trafiku.

Në një prononcim për media nga vendi ku sot u gjet trupi i pajetë i pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Armend Trena, kryeprokurori Jashari theksoi se vetura zyrtare me të cilën policët Trena e Dashi ranë në ujërat e Lepencit më 28 prill ka qenë në gjendje të rregullt.

Ai tha se nuk dihet se si ka ardhur deri te shmangia e veturës nga rruga.

Lidhur me lëndimet që i kishin kufomat, kryeprokurori i Ferizajt tha se ato janë nga aksidenti.

Edhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, se polici Armend Trena kishte lëndime në kokë dhe ekstremitete.

Edhe për trupin e policit tjetër, i cili u gjet ditë më parë, Malsor Dashit, Gërxhaliu tha se kishte lëndime që janë karakteristike për aksidente.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për media të kryeprokurorit Shukri Jashari dhe të drejtorit të IML-së, Arsim Gërxhaliu, e cila u mbajt pak minuta pasi trupi i policit Armend Trena u ngarkua në furgon për t’u transportuar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku nesër do t’i bëhet autopsia, para se të varroset.