Kosnett sërish deklarohet për zgjedhjen e Naser Shalës në krye të Agjencisë për Verifikim të Pronës

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett  ka kritikuar sërish emërimin e Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Kosnett në një debat të Lëvizjes “Fol” në Prishtinë ka përmendur këtë emërim si shembull të keq të ndikimit politik në punësime.

Ambasadori amerikan këtë deklarim e bëri teksa foli për ndikimin e shoqërisë civile dhe mediave në luftën kundër korrupsionit.

“Për shembull ishte një grup i shoqërisë civile, një organizatë rinore etnike që na njoftoi për emërimin politik të lidershipit të pakualifikuar të Agjencisë për Verifikimin e Pronës. Por kur Ambasada Amerikane dhe vëzhguesit e tjerë folën publikisht për këtë, pse organizatat e shoqërisë civile nuk i përforcuan shqetësimet e të rinjve dhe ku ishte media në këtë rast”, tha ambasadori.

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte raportuar se si ish-ushtari i zv.kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, Naser Shala është zgjedhur drejtor i Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, përkundër faktit se kompania britanike BDO kishte vlerësuar se ai nuk i plotësonte kushtet (nuk është i emërueshëm) për këtë pozitë.

Pas raportimeve, kishte reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett, i cili në një postim në profilin e tij në Twitter, u shpreh i zhgënjyer me vendimin e 50 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, të enjten Kosnett tha se roli i medias është thelbësor në çdo demokraci dhe ato mund të jenë aleatë të fuqishëm për organizatat e shoqërisë civile.

“Gazetarët luajnë rol etik për të siguruar drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës. E për ta bërë këtë, ata duhet të mbrohen nga presioni apo kërcënimi i padrejtë”, u shpreh ambasadori amerikan.

https://kallxo.com/britaniket-te-pakenaqur-me-zgjedhjen-e-bashkeluftetarit-te-limajt-ne-agjencine-e-prones-ambasadori-jep-doreheqje-nga-bordi/?fbclid=IwAR0kfOW0b66efIWMKANzjN54ZMmNd5RCesOJgZuJOxrtbnLXq9_wWFvhv3s

www.kallxo.com