Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosnett tregon nëse Qeveria Kurti po e lufton sa duhet korrupsionin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se luftimi i krimit të organizuar dhe ekstremizmit të dhunshëm nuk janë e njëjta gjë.

Sipas tij, ekstremizmit është element i huaj në Kosovë dhe nuk ka arritur të vërë rrënjë tek organet që e luftojnë atë.

“Mendoj se ekstremizmi i dhunshëm është element i huaj në Kosovë. Nuk arriti të vërë rrënjë dhe jo vetëm policia dhe prokurorët, por edhe vetë populli i Kosovës që nuk ishte i interesuar të pranonte ekstremizmin e dhunshëm”, tha ai.

Ambasadori theksoi se krimi dhe korrupsioni ka rrënjë shumë të thella në Ballkan.

Sipas tij, njerëzit që kanë votuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin presin ndryshime të shpejta në këtë drejtim dhe ne do presim çfarë do të ndodhë.

“Mendoj, me keqardhje, se korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë rrënjë shumë të thella në Ballkan, në Kosovë dhe në vendet fqinje dhe do të duhet që policia, prokuroria, të tjerët të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar. Do të duhet shumë kohë dhe në këtë vazhdë, e di se disa njerëz që kanë votuar për Qeverinë Kurti, kanë votuar për Vjosa Osmanin sepse kanë pritur ndryshime të shpejta kundër korrupsionit, po e këqyrin orën dhe po pyesin çka po ndodhë”, shtoi Kosnett në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ambasadori potencoi se i ka këshilluar institucionet që ta luftojnë korrupsionin në mënyrën e duhur, të kryejnë hetime sepse nuk mund të largojnë të gjithë njerëzit nga puna.

“Më duhet të them se personalisht unë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë e kemi këshilluar Qeverinë e re dhe Ministrinë e Brendshme, Policinë e të tjerët që nëse do ta luftoni korrupsionin, atëherë luftojeni në mënyrë të duhur. Bëjeni në mënyrë të qëndrueshme. Duhet të kryeni hetime. Duhet të zhvilloni dëshmi kundër njerëzve. Nuk mund vetëm t’i largoni të gjithë nga puna në vend”, shtoi ai.

Kosnett theksoi se mendon që Qeveria është në rrugën e duhur të këtij procesi.