Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A do të tërhiqet ShBA nga Kosova sikur nga Afganistani?

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, tha se Kosova dallon shumë nga Afganistani. Sipas tij, mund të nxirren mësime nga situata atje.

Sipas ambasadorit, njëri prej tyre është korrupsioni, ku qytetarët në Afganistan konsideronin se Qeveria nuk po punonte mjaftueshëm për qytetarët e rëndomtë.

“Kosova dallon shumë nga Afganistani, por mendoj se këtu nxirren disa mësime të rëndësishme. Së pari, njerëzit do të shkruajnë libra, me siguri me shekuj, rreth asaj se çka ndodhi në Afganistan, pse ra Qeveria në Afganistan? Por mendoj se janë dy mësime të rëndësishme për Kosovën. E para, korrupsioni”, tha ai.

Ai tha se nga përvoja që ka në atë vend, populli atje nuk u beson talibanëve.

“Mendoj se shumica e popullit në Afganistan, e unë kam jetuar në Afganistan, njëjtë si edhe bashkëshortja ime, ata nuk i duan talibanët, nuk u besojnë talibanëve dhe ka shumë shqetësim rreth marrjes së vendit nga talibanët. Por, më duhet të them se shumica e popullit kurrë nuk ka ndjerë që qeveria qendrore në Kabul ka punuar mjaftueshëm për t’u kujdesur për qytetarët e rëndomtë. Ka pasur shumë brenga rreth korrupsionit dhe ndjenjës se populli vërtetë nuk ka mundur t’i besojë Qeverisë”, tha ai.

Dallimi sipas tij është se Kosova ka zgjedhur që përmes zgjedhjeve demokratike ka vendosur të bëjë ndryshim për luftim të korrupsionit.

Kosnett theksoi se Amerika nuk do e braktisë Kosovën siç ka bërë me Afganistanin.

Ai shtoi se ka një pajtim të madh mes aleatëve që KFOR të rrijë këtu pasi e konsiderojnë se luan rol të rëndësishëm në ruajtje të stabilitetit.

“Jo nuk do e braktisë. Por, më lejoni t’ju përgjigjem më gjerësisht. Besoj se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në mesin e aleatëve tanë në NATO, ka mbështetje të fortë për të mbajtur KFOR-in. Ky është një aspekt. Por, KFOR-i nuk është vetëm dhuratë për Kosovën. Një ndër fushat e pakta ku njerëzit në Serbi dhe në Kosovë duket se pajtohen është se KFOR-i luan rol të rëndësishëm në mbajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të të dy vendeve”, ka thënë Kosnett.