Naser Shala jep dorëheqje nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës

Naser Shala, i njohur në publik si komandant ‘Fytyra’ ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Këtë, për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Shala, duke thënë se gjatë ditës së djeshme e ka dhënë dorëheqjen.

“Po, dje kam dhënë dorëheqje. Arsyet janë si pasojëe e mos miratimit të Raportit Vjetor të Agjencisë për vitin 2020, në seancën e Kuvendit të datës 6 dhjetor. Ky Raport nuk është miratuar as në komisionet përkatëse”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Në ndërkohë, edhe në faqen e Agjencisë është publikuar njoftimi për dorëheqjen e tij, ku ndër të tjera, thuhet se arsyet e mos miratimit të këtij Raporti, kanë konsideruar të natyrës politike dhë në asnjë mënyrë që të shmanget mosmiratimi i raporteve të tjera.

Naser Shala ishte zgjedhur drejtor i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës më 28 shkurt të vitit 2019.

Për emërimin e tij në këtë pozitë nga Kuvendi i Kosovës, kishte reaguar edhe ish-ambasadori i Amerikës në Kosovë, në atë kohë Philip Kosnett, duke thënë se ishte i zhgënjyer.

Emërimin e tij e kishte kundërshtuar edhe Ambasada Britanike. Ambasadori në atë kohë Ruari O’Connell, duke thënë se emërimi ishte fyerje për taksapaguesit britanikë, pasi që ambasada kishte ndihmuar në procesin e intervistimit të kandidatëve, ndërsa ambasadori kishte konsideruar se Naser Shala ishte i pakualifikuar për atë pozitë.

O’Connell: Emërimi i Naser Shalës, fyerje për taksapaguesit britanikë

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për Naser Shalën- LINK