Komandanti Rrahman Rama dekoroi me medalje komandantin e Gardës së Ajovës

Në Ministrinë e Mbrojtjes sot u organizua një pritje shtetërore për nder të komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës së ShBA-ve, gjeneral major Timothy Orr, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, deputetë, ministra, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë dhe ushtarakë.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, foli për rëndësinë e partneritetit mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

“Që nga themelimi i Programit të Partneritetit Shtetëror në vitin 2011, në sajë të vizionit strategjik dhe përkushtimit strategjik të gjeneralit Orr, FSK-ja është zhvilluar si forcë më profesionale dhe e gatshme për t’ju shërbyer qytetarëve të saj. Gjeneral Orr, unë jam shumë mirënjohës për përpjekjet e jashtëzakonshme të ushtarëve të aviacionit të Garda Kombëtare të Ajovës, që kanë bërë, nën udhëheqjen tuaj, për zhvillimin e zyrtarëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të FSK-së”, ka thënë Rama.

Ndërkaq pasi u dekorua me medaljen për shërbim vetëmohues, gjenerali amerikan Timothy Orr deklaroi se ndjehet i lumtur dhe krenar që po nderohet nga FSK-ja me këtë medalje.

“Ne, në veçanti kemi zgjedhur Kosovën nga 18 vende. Nga këtu po shoh anëtarët e forcave të mia dhe të FSK-së. E keni përkushtimin tim dhe do të vazhdojmë të ju ndihmojmë në këtë fushë”, tha gjenerali Orr.