Rrahman Rama dhe Memli Krasniqi, Foto: PDK 26.03.2024

Ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama i bashkohet PDK-së

Ish-komandanti i Forcës së Sugurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtnënant Rrahman Rama, i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ramën e prezantoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi duke e quajtur “patriot të dëshmuar”, për të cilin thotë se është i shquar për “kontributin e tij shumëvjeçar për vendin kudo dhe kurdo që e ka kërkuar nevoja”.

“Një komandant që ndërtoi ura të fuqishme bashkëpunimi në shërbim të forcimit të ushtrisë tonë me të gjithë aleatët tanë, posaçërisht SHBA-të. Një personalitet që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fazat e transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ushtrinë zyrtare të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran”- ka thënë Krasniqi sipas komunikatës së PDK-së më 26.03.2024.

Ndërkaq, Rrahman Rama tha largimi i tij nga FSK-ja, ishte përmbushje e misionit të tij ushtarak, por jo për t’i shërbyer atdheut.

“Sot, po i bashkohem shtëpisë së madhe politike – Partisë Demokratike të Kosovës, për t’i shërbyer vendit në një cilësi tjetër. PDK është parti shtetformuese e shtetndërtuese, e cila Republikën e Kosovës e ka të shenjtë dhe nuk mund ta lë në mëshirë të fatit, pavarësisht pozicionit të saj. Sidomos në një periudhë të tillë të vështirë, kur sfidat e vendit tonë janë të shumta. E posaçërisht, sfidat në fushën e sigurisë. Sot, detyrë e secilit prej nesh është që me të gjitha kapacitetet tona të angazhohemi për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje, e së bashku të ecim përpara në rrugën drejt fuqizimit të shtetit dhe përparimit e integrimit të tij. Për Kosovën jemi bashkë”- ka thënë Rama.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama ishte emëruar komandant i FSK-së në mars të vitit 2015 nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai e kishte zëvendësuar në detyrë gjenerallejtënant Kadri Kastratin. Në vitin 2019, Ish-presidenti Hashim Thaçi, njëherësh ish-kryetar i PDK-së, e kishte dekretuar Rrahman Ramën edhe për një mandat tjetër 5-vjeçar si komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në nëntor 2021, Rama dha dorëheqje nga pozita e komandantit të FSK-së. Në vend të tij, u emërua Bashkim Jashari në dhjetor të vitit 2021.