Maqedonci tregon fuqinë e kamionëve të prodhimit gjerman që i janë shtuar ushtrisë së Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se kamionët ushtarakë të prodhimit gjerman “RheinMetall MAN HX2, 8×8”, të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë kosovare janë ndër më modernët.

Disa prej kamionëve të tillë janë blerë nga Qeveria e disa janë pranuar si donacion.

Këta kamionë ushtarakë, siç thotë Maqedonci janë multifunksional dhe të dizajnuar për operacione logjistike e taktike.

“Karakteristikat e reja të këtij kamioni të pastër ushtarak janë shumë mbresëlënëse. Falë sistemeve të ndryshme të asistencës, HX2 u ofron ushtarëve dhe mjedisit civil siguri më të madhe në përdorimin e përditshëm të automjeteve dhe garanton dukshëm më shumë mbrojtje në kabinë”, shkruan Maqedonci.

Ai thotë se këto lloje kamionësh mundësojnë transportimin e municioneve në terrene të vështira.

“Forca e Sigurisë së Kosovës çdoherë e më e pajisur për të garantuar përmbushjen e misionit të saj kushtetues”, përfundon postimin e tij Maqedonci.