Kadri Veseli - FOTO KALLXO - 06.02.2019

Kadri Veseli paralajmëron mbylljen e bastoreve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë, e përshëndeti inciativën e legjislativit për seancë të jashtëzakonshme dhe për mbylljen e lojërave të fatit.

Veseli tha se kazinot duhet të mbyllen të gjitha.

“Është një nga iniciativat më të mira që ka ndërmarr Kuvendi i Kosovës, është mbyllja e fatit të mashtrimit i cili po dëmton shumë familjet tona, siç janë lojërat e fatit apo kazinot. Fati i qytetarëve tonë nuk është kazino, por zhvillimi ekonomik”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se për këtë çështje ka reagime pozitive edhe nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Vendimmarrja do të jetë në dakordancë të plotë me ligjin. Lojërat e fatit duhet të mbyllen të gjitha dhe deri në aprovimin e ligjit të ri do të rregullohet në mënyrë të saktë veprimtaria. Mënyra ideale është largimi i tyre nga vendbanimet nëpër kufij. Kosova nuk do të lejohet të jetë qendër e krimit të organizuar dhe veprimtarisë së paligjshme”,  u shpreh Veseli.

Seanca e Kuvendit për çështjen e lojërave të fatit pritet të mbahet sot në orën 11:00.