Konferenca e Vetëvendosjes | Foto: KALLXO.com

Kadaj-Bujupi: Heshtje e Turpshme nga LDK dhe AAK

Kadaj-Bujupi kërkoi nga LDK-ja që të prishë koalicionin qeverisës me PDK-në duke e cilësuar të turpshëm qëndrimin e deritanishëm të kësaj partie.

“Kemi një qëndrim të LDK-së që është hiq më pak se i turpshëm, përderisa përditë po dalin skandale të rënda për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Në vend se LDK-ja të distancohet nga këto skandale dhe koalicioni, ne po dëgjojmë deklarata të Isa Mustafës se Hashim Thaçi qenka President i shkëlqyeshëm,” tha Kadaj-Bujupi.

Ndërkaq ajo ka deklaruar se edhe AAK-ja po shfaq një përkrahje të heshtur ndaj Partisë Demokratike të Kosovës me pasivitetin e saj për folur rreth serisë së bisedave telefonike të njohura si “pronto 2”

“Në anën tjetër nuk kemi dëgjuar këto ditë që as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të reagojë, ose të kritikojë, ose të flasë në lidhje me këto skandale dhe kjo nuk është asgjë tjetër veçse konfirmim i një marrëveshjeje të fshehtë,” tha Kadaj-Bujupi.

Xhelal Sveçla nga kjo parti tha se përgjimet e fundit tregojnë se janë kryer krime ekonomike që sipas tij kanë ndikuar në varfërimin e popullit.

“Sot e dëgjuam Shaip Mujën teksa flet për korrupsion në Ferronikel duke kërcënuar partiakët e vet që janë përlyer të gjithë në këto afera. Kjo tregon që përmasat e krimit në Kosovë nuk janë kufizuar vetëm në punësime partiake dhe familjare por kanë prekur edhe fabrikat dhe prodhimin e punësimin e popullit”, tha Sveqla.

Sveçla gjithashtu tha se së shpejti do të thirret një protestë nga Vetëvendosja.