Prapa grilave - Ilustrim

Ish-zyrtari i AKP-së dënohet me burgim për keqpërdorim detyre

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor ish-zyrtarin e AKP -së, Taulant Tahirsylaj për veprën penale, keqpërdorim i pozitës  zyrtare.

Tahirsylaj është dënuar me 10 muaj burgim, dënim i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 24 maj 2018 ndaj Taulant Tahirsylaj, me pretendimin se gjatë periudhës 13 maj 2015 e deri më 2 tetor 2015, derisa  sa ishte në cilësinë e zyrtarit të operacioneve për administrimin e aseteve në zyrën regjionale të AKP-së, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

Sipas Prokurorisë deri sa kompania NSH “Tregu”, ishte në likuidim Taulant Tahirsylaj nga arka e kësaj kompanie kishte tërhequr shuma financiare ku dyshohet se më 13 korrik 2015, kishte tërhequr 3.000 euro, me 31 korrik 2015, kishte tërhequr 2.000 euro, me 31 gusht 2015, 3.500 euro dhe me 2 tetor 2015 kishte tërhequr 2.500 euro, në vlerë të përgjithshme shumën prej 11.000 euro.

Tutje në aktakuzë thuhej se të njëjtat shuma i kishte kthyer në AKP me datën 23.05.2017 ndërsa shumën tjetër me datë 01.03.2018.