Fshati Banjskë

Sveçla për ‘Hotel Banjska’: Pronare e kompleksit është AKP, për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi

Dje gjatë ditës, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka qenë brenda objektit të ‘Hotel Banjska’ në fshatin Banjskë të Zveçanit, pasi që të njëjtit nisën regjistrimin e aseteve brenda këtij hoteli.

E për këtë sot ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se pronare e këtij kompleksi është AKP e së për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi.

“Pronare e këtij kompleksi është Agjencia Kosovare e Privatizimi, për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi, pse dikush ka investu jashtë ligjshëm mendoj se është një mësim për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë”- tha Sveçla.

Ai tutje tha se për menaxhimin e këtij kompleksi do të përkujdeset MPB.

“Sa i takon menaxhimit të atij kompleksi, MPB është rezultat i bashkimit të dy ministrive, asaj të Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike ka departamentin e menaxhimit të objekteve të llojeve të këtilla në pronësi të shtetit”- tha i pari i Punëve të Brendshme në Kosovë.

Ai shtoi se kjo është edhe arsyeja pse e kanë marr nën menaxhim ‘Hotel Banjska’, duke thënë se destinimi final i këtij objekti do ta përcaktohet ndërkohë.

Zyrtarët e Agjencisë Kosovare për Privatizim dje u asistuan edhe nga Policia e Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë në veri, Veton Elshani.

Ai konfirmoi se kanë asistuar ekipin e AKP-së në këtë lokacion.

“Po mund të ju konfirmoj se gjatë ditës së sotme ekipet e policisë kanë asistuar zyrtarët e AKP-së në këtë objekt në Banjskë. Aktualisht zyrtarët policorë dhe ata të AKP-së gjenden brenda objektit”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Objekti i Hotelit në Banjskë nuk ka funksionuar që nga 24 shtatori 2023, kur në fshatin ku është i vendosur ky hotel u regjistrua një sulm terrorist nga një grup prej më shumë se 50 personash të cilët përmes rrugëve ilegale kishin hyrë brenda territorit të Kosovës nga Serbia dhe kishin sulmuar Policinë e Kosovës në të cilin vdiq edhe rreshteri policor Afrim Bunjaku.

AKP nis verifikimin e aseteve brenda ‘Hotel Banjska’, asistohet nga policia