Ish-punëtorët e Llamkos-it protestuan, kërkojnë pagat e tyre

Ish-punëtorët e ish-fabrikës “Llamkos” kanë protestuar sot para Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për 13 pagat që nuk i kanë marrë.

Kryetari i Sindikatës së ish-punëtorëve të fabrikës “Llamkos”, Ragip Hasani, ka theksuar se ky borxh është që nga viti 2008.

“Kërkesat tona të ish-punëtorëve të ish-Llamkos të Vushtrrisë janë pagimi i pagave 31 për qind, borxhi na ka mbetë, prej 13 pagave të papaguara, na kanë mbetë borxh prej vitit 2008 deri 2009 dhe na e kemi vendimin AKP -ja që na ka dhënë me na pagu, mirëpo nuk na kanë pagu AKP-ja”- ka thënë ai.

Këtë ai e ka cilësuar si neglizhencë nga AKP-ja.

“Çdo herë e kanë neglizhu që dhoma e posaçme s’po e lejon në dhomën e posaçme jemi kanë të kryetari i gjyqit ato ia kanë dërgu imellen, konfirmimin AKP-së që keni të drejtë, me ia nda mjetet, mirëpo këto nuk po i ndajnë”- tha ai.

Ai ka shprehur pakënaqësi pas takimit që kishin me disa përfaqësues të AKP-së.

“Sot u ndamë shumë të zhgënjyer me disa përfaqësues të AKP-së, kemi mendu që diçka do të na dalin në ndihmë, mirëpo këta u arsyetuan se kompania bullgare i ka bllokuar asetet, mjetet e AKP”- ka shtuar ai.

Tutje ai tregoi se nga ky takim atyre nuk iu dha ndonjë shpresë për këtë çështje.

“Ne ishim të drejtori, përfaqësuesi i AKP-së, Ardian Berisha dhe Ardita Lokaj, megjithatë u ndamë të pakënaqur me vendimet e tyre ose me fjalimet e tyre që i dhanë kurrfarë shpresa nuk na dhanë,  duhet tha me u zhblloku një herë, në Gjykatë është ajo xhirollogaria jonë, e ka blloku gjykata, kompania bullgare është anku, na jemi palë e tretë“- tha Hasani.

Kryetari tha se ata shpresojnë që të marrin nga 1 mijë euro për person.

Sipas tij, punëtorët janë të lodhur e janë të sëmurë.

Kjo protestë ai ka thënë se ishte e qetë, por në vazhdim ai tha se ato mund të jetë më agresive ngase shtoi që nuk iu ka mbetur diçka tjetër.

Ai theksoi se ata kanë punuar 25 muaj pa u paguar.

Fajin për mbylljen e kësaj fabrike Hasani ia ka hedhur AKP-së.

Kjo fabrikë tha se është privatizuar në vitin 2005.

Salih Vershevci, ish-punëtor në fabrikën “Llamkos”, tha se ata do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre, pagat e tyre.

“Na jemi qe 14 vjet të larguar prej punës, rrugëve, njerëzit kanë vdekur prej varfërisë, tana të zezat, fabrikën e kanë mbyll hajnat për interesat e veta”- ka thënë ai.

487 është numri i ish-punëtorëve që presin t’i marrin pagat.