Foto: Pixabay
Rreziku prej inteligjencës artificiale në përçarjen e botës në kohë zgjedhjesh
Inteligjenca artificiale (IA) është duke shumëfishuar kërcënimin për dezinformim në gjithë botën, duke e bërë më të lehtë për secilin që e ka një telefon të mençur dhe pak imagjinatë, që të krijojë material të rremë – por bindës – me qëllim të mashtrimit të votuesve.
Situata ka ndryshuar në mënyrë drastike në krahasim me disa vjet më parë, kur krijimi i fotografive të rreme, videove apo audioklipeve, ka nënkuptuar angazhimin e njerëzve me kohë të mjaftueshme, aftësitë e duhura dhe para.
Tani, duke përdorur shërbime të inteligjencës artificiale prej gjigantëve si Google dhe OpenAI – një pjesë e të cilave janë falas – secili mund të krijojë materiale të pavërteta, dhe atë vetëm duke e bërë një kërkesë me fjali të thjeshta.
Një mori materialesh të rreme – të lidhura me zgjedhjet në Europë dhe Azi – kanë marrë hov në rrjetet sociale që disa muaj, duke ngritur alarm për më shumë se 50 shtete që do t’i organizojnë zgjedhjet këtë vit.
“Nuk duhet të shkoni shumë larg për të kuptuar që disa njerëz janë thellësisht të hutuar nëse diçka është e vërtetë ose jo”, ka thënë Henry Ajder, eksperte për inteligjencë artificiale, me seli në Kembrixh të Anglisë.
Tani dilema nuk qëndron te ajo nëse materialet e rreme mund të ndikojnë në zgjedhje, por është në fakt se sa shumë do të kenë ndikim, ka thënë Ajder, e cila udhëheq kompaninë për konsulencë Latent Space Advisory.
Teksa gara për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara sa shkon e rritet, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Chrisopher Wray, ka paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve, duke thënë se materialet e krijuara me inteligjencë artificiale ua bëjnë më të lehtë “armiqve të huaj që të angazhohen në ndikim dashakeq”.
Përmes materialeve të tilla, imazhi i një kandidati mund të njolloset ose përmirësohet.
Votuesit mund të udhëzohen për ose kundër një kandidati – ose edhe që t’i injorojnë krejtësisht zgjedhjet.
Mirëpo, sipas ekspertëve, kërcënimi më i madh për demokracinë janë materialet e rreme që gërryejnë besimin e publikut në atë që dëgjojnë dhe shohin.
Avancimi i madh i teknologjisë e bën me raste shumë të vështirë që të dallohet e vërteta prej krijimit të materialeve të rreme.
Teksa teknologjia përparon “përgjigjet definitive për shumë materiale të pavërteta do të jenë secilën herë e më të vështira”, ka thënë Ajder.
Gërryerja e besimit
Disa materiale të tilla të manipuluara synojnë të mbjellin dyshime për besnikërinë e kandidatëve.
Në Moldavi, shtet në lindje të Europës, në kufi me Ukrainën, presidentja pro perëndimore, Maia Sandu ka qenë shënjestër e shpeshtë.
Një material i rremë që ka qarkulluar pak pas zgjedhjeve lokale, e ka shfaqur atë duke e përkrahur një parti të afërt me Rusinë, dhe duke treguar për planet që të japë dorëheqje.
Zyrtarët në Moldavi besojnë se Qeveria në Rusi është mbrapa këtij aktiviteti.
Përmes zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, materialet e rreme synojnë “të gërryejnë besimin në procesin tonë zgjedhor, te kandidatët dhe institucionet – mirëpo që të gërryejnë edhe besimin mes njerëzve”, ka thënë Olga Rosca, këshilltare e Sandusë.
Qeveria e Rusisë nuk ka pranuar të komentojë në këtë temë.
Kina, po ashtu, është akuzuar për përdorim të materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale si armë për qëllime politike.
Në Tajvan, ishullin që vetëudhëhiqet, të cilin Kina e konsideron si të vetin, një material i rremë ka marrë vëmendje të madhe më herët gjatë këtij viti, duke rritur shqetësimet për ndërhyrjen amerikane në politika lokale.
Një material i rremë që ka qarkulluar në platformën TikTok, e ka paraqitur republikanin Rob Wittman, zëvendësudhëheqësin e Komitetit për Shërbime të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, duke premtuar për mbështetje më të madhe ushtarake amerikane për Tajvanin, nëse kandidatët e partisë në pushtet, do të rizgjidheshin sërish në janar.
Wittman e ka fajësuar Partinë Komuniste të Kinës se po tenton të ndërhyjë në politikat tajvaneze, duke thënë se kjo parti e përdor TikTokun – kompani kineze – për të përhapur “propagandë”.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, ka thënë se Qeveria e Kinës nuk komenton për videot e rreme dhe dënon ndërhyrjen e shteteve në punët e brendshme të një vendi tjetër.
Sipas tij, zgjedhjet e Tajvanit “janë çështje lokale të Kinës”.
Zbehje e realitetit
Kur vjen fjala për verifikim, materialet e rreme vetëm me zë janë më sfidueset, në krahasim me fotografitë dhe videot, pasi ato nuk kanë shenja të dukshme të manipulimit.
Në Sllovaki, një tjetër shtet ku ka shtrirje të madhe ndikimi rus, incizimet kinse të zërit të shefit të partisë liberale, janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale, vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare.
Në incizim dëgjohet zëri i një burri duke folur për çmimet e birrës dhe mashtrimet me vota.
Është e kuptueshme që votuesit mund të futen në grackën e këtij mashtrimi, ka thënë Ajder, sepse njerëzit “janë mësuar më shumë që të gjykojnë me sy, sesa me vesh”.
Në SHBA kanë qarkulluar disa thirrje robotike, kinse prej presidentit amerikan, Joe Biden, që votuesit në Nju Hempshir të mos votojnë në zgjedhjet paraprake të janarit.
Këto thirrje janë gjurmuar më vonë prej një konsulenti politik, i cili ka thënë se kështu ka tentuar të flasë më shumë për rreziqet e materialeve të rreme.
Në vendet më të varfra, ku nuk ka përqindje të lartë të shkollimit të popullsisë, edhe materialet e rreme, të krijuara me inteligjencë articiale që nuk kanë kualitet të lartë, mund të jenë shumë efektive.
I tillë ka qenë rasti i vitit të kaluar në Bangladesh, ku ligjvënësja opozitare Rumeen Farhana – kritike e ashpër e partisë në pushtet – është shfaqur në disa pamje, kinse ka dalë me rroba të plazhit.
Kjo video është bërë virale dhe ka shkaktuar shumë zemërim në këtë vend konservator me shumicë myslimane.
“Ata besojnë gjithçka që shohin në Facebook”, ka thënë Farhana.
Ekspertët janë thellësisht të shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Indi, vendin demokratik më të madh në botë – ku rrjetet sociale janë hapësira ideale për përhapje të dezinformatave.
Sfidë për demokracinë
Ndërkohë, disa fushata politike janë duke e përdorur inteligjencën artificiale për të forcuar imazhin e një kandidati.
Në Indonezi, ekipi që udhëheq fushatën presidenciale të Prabowo Subiantos, e ka përdorur një aplikacion të thjeshtë mobil për të ndërtuar lidhje të ngushta me mbështetësit e këtij vendi.
Aplikacioni u ka mundësuar votuesve që t’i fusin fotografitë e tyre dhe më pas inteligjenca artificiale e ka krijuar një fotografi të re bashkë me Subianton.
Teksa raste të tilla shumëfishohen në baza ditore, autoritetet në gjithë botën janë duke tentuar të krijojnë mekanizma mbrojtës.
Bashkimi Europian tashmë u kërkon rrjeteve sociale që të zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së dezinformatave apo “manipulimit zgjedhor”.
Blloku europian do ta bëjë të detyrueshëm që të etikohen materialet e rreme, duke nisur prej vitit të ardhshëm, veçse vonë për zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Megjithatë, pjesa tjera e botës është shumë më mbrapa.
Kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë e kanë nënshkruar së fundi vullnetarisht një marrëveshje për të parandaluar mundësinë që inteligjenca artificiale të dëmtojë proceset zgjedhore.
Shembull, META, kompania që e ka në pronësi Instagram-in dhe Facebook-un ka thënë se do të nisë etiketimin e materialeve të rreme që shfaqen në platformat e saj.
Por, materialet e rreme janë më vështirë të verifikueshme në aplikacionet për mesazhe si Telegrami.
Ky i fundit nuk e ka nënshkruar paktin dhe mundëson privatësi totale në biseda, të cilat janë vështirë të monitorueshme.
Disa ekspertë shqetësohen se përpjekjet për frenuar këtë lloj të materialit të rremë, mund të rezultojnë me pasoja të pamenduara.
Qeveritë dhe kompanitë që kanë qëllime të mira rrezikojnë shpesh një linjë “tepër të hollë” në mes të komenteve politike dhe “tentimeve të paligjshme për të shpifur për një kandidat”, ka thënë Tim Harper, analist i lartë politikash në Qendrën për Demokraci dhe Teknologji në Uashington.
Shumë aplikacione të inteligjencës artificiale kanë rregulla për t’i kufizuar dezinformatat me doza politike.
Mirëpo, ekspertët kanë thënë se momentalisht është shumë e lehtë që t’iu iket kufizimeve të platformës apo të përdoren shërbimeve alternative.
Edhe pa ekzistuar qëllimet e këqija, rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale është problematike.
Shumë aplikacione me bazë inteligjencën artificiale janë duke përhapur informacione të rreme që kërcënojnë integritetin e votuesve.
Dhe softueri nuk është kërcënimi i vetëm.
Kandidatët do të mund t’i mashtrojnë votuesit duke pretenduar që situatat reale, që nuk janë në favorin e tyre, janë krijuar me inteligjencë artificiale.
“Një botë në të cilën gjithçka është e dyshimtë – dhe ku secili mund të vendosë së çfarë të besojë – është botë shumë sfiduese për demokracinë”, ka thënë Lisa Reppell, hulumtuese në Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore në Arlington të Virxhinas. /REL