AKP thotë se ka fituar rastin gjyqësor në Mal të Zi për kthimin e 8 aseteve në emër të ndërmarrjes KBI Kosova Eksport

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka thënë se ka fituar një rast gjyqësor në Mal të Zi, për kthimin e 8 aseteve të KBI Kosova Export – Industria e Mishit në Fushë Kosovë, në emër të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit për media, AKP në fillim të këtij viti e kishte kutpuar se 8 asete në Mal të Zi të KBI Kosova Eksport, janë shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridik Privat të Serbisë dhe janë regjistruar në emër të personave fizik në Drejtorinë Kadastrale në Podgoricë.

“AKP ka parashtruar ankesë kundër aktvendimit të datës 24.01.2023 të Drejtorisë Kadastrale në Podgoricë lidhur me ndërrimin e titullarëve të pronësisë në asetet e KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë Kosovë, në Mal të Zi, në shkallën e dytë administrative kompetente, që është: Ministria për Planifikim, Urbanizëm dhe Pronë e Republikës së Malit të Zi” – thuhet në njoftim.

Më 29 nëntor 2023, AKP thotë se ka pranuar aktvendimin e shkallës së dytë administrative në Podgoricë, me të cilin është aprovuar ankesa e AKP-së, duke e anuluar aktvendimin e Drejtorisë për Kadastër në Podgoricë.

“Si rezultat i ankesës së AKP-së, Shkalla e Dytë Administrative në Podgoricë e ka aprovuar ankesën e AKP-së me ç ‘rast 8 asetet janë rikthyer në emër të KBI Kosova-Export Industria e Mishit Fushë Kosovë” – thuhet në fund të njoftimit për media të AKP-së.