Gjykimi për privatizimin e fabrikës "FAB" - Foto: KALLXO.com

Ish-Punëtorët Ankohen se u Detyruan të Qesin Kulme e të Heqin Pleh

Në gjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani, si dhe zyrtarëve të AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”, gjykim ky i cili lidhet me privatizimin e kësaj fabrike, në cilësi të dëshmitareve u dëgjuan tetë ish- punëtorë të fabrikës.

Enver Berisha, Bajram Hoxha, Bislim Rexhepi, Ibrahim Hasani, Naim Popova, Afrim Lepaja, Skender Rrahmani, Fadil Thaçi dëshminë e tyre e dhanë në lidhje me kohën kur ata kishin qenë punëtor të kësaj fabrike para dhe pas privatizimit të saj e deri në momentin kur ata janë larguar nga puna.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Fikrije Fejzullahu nga dëshmitarët kryesisht kërkoi të dinte në lidhje me punësimin e tyre në ndërmarrjen “FAN” para dhe pas privatizimit të saj, kushtet e punës në të cilat kishin punuar si dhe arsyet e grevës e më pas edhe largimin e tyre nga puna.

Pothuajse të gjithë dëshmitarët deklaruan se ata janë themeluesit e kësaj ndërmarrjeje dhe se kishin punuar aty që nga viti 1984 e deri në vitin 2011, kur edhe i kishin larguar nga puna.

Madje dëshmitari Bislim Rexhepi deklaroi se ka qenë shumë entuziast dhe i kënaqur kur kishin dëgjuar që do të privatizohej fabrika sepse tha se kishte menduar që për të punësuarit do të kishte një perspektivë më të mirë.

“Kemi qenë shumë të kënaqur kur dëgjuam se fabrika ka dalë në shitje duke menduar që do të i përcjellim ligjet dhe rregullat e Perëndimit që çdo punëtor që do të punojë në atë fabrikë pas privatizimit do të ketë perspektivë jete dhe rrogë të dinjitetshme dhe trajtim sipas rregullave ligjore”, tha ai.

“Çka ndodhi pas privatizimit?”, e pyeti dëshmitarin prokurorja Fejzullahu.

“Më 26 mars 2006 është ndërprerë marrëdhënia e punës dhe kemi shkuar në shtëpi. Një muaj nuk u kemi treguar fëmijëve që kemi mbetur pa punë. Hajt mos po punësohemi. Disa kanë shkuar te fabrika dhe kanë kërkuar punë, mirëpo pronari thoshte duke u shtuar kapaciteti i punës gradualisht unë i marr punëtoret. Përparësi kanë pasur punëtoret aktualë që kanë qenë themelues të fabrikës, mirëpo hini kush hini, punum sa punum, dikur u morën edhe punëtorë që nuk kanë punuar aty”, u shpreh dëshmitari.

Për shkak të kësaj gjendjeje, dëshmitarët treguan se ata kishin vendosur që të hynin në grevë dhe edhe përkundër faktit se drejtori i fabrikës nuk e kishte pranuar sindikatën e punëtoreve, ata kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre i kishin raportuar në sindikatën qendrore.

“Unë si sindikalist përkundër faktit se sindikatën nuk  e ka pranuar aty drejtori, ne si sindikalistë i kemi dëgjuar hallet e punëtoreve dhe kemi raportuar në sindikatën qendrore, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Inspektcionin e Punës me monitoru gjendjen te ne sepse asnjë punëtor nuk ka guxuar të thotë se nuk ka rrogë të mirë dhe nuk janë duke kaluar mirë. Jashtë fabrikës ne kemi bërë kërkesa por kërkesat nuk janë realizuar”, u shpreh dëshmitari Bislim Rexhepi.

Në lidhje me kërkesat që i kishin nisur ai tha që ka dyshime nëse ato kanë arritur në adresën e duhur.

“Unë kam pak dyshime pasi që ne kërkesat i kemi dorëzuar te shefi i prodhimit Rexhep Hyseni. Tash a është ai fajtor që s’i ka dorëzuar apo i ka dorëzuar tek menaxheri i fabrikës nuk e dimë ne”, tha dëshmitari.

Kurse Ibrahim Hasani tregoi se pas privatizimit të fabrikës kishin filluar problemet dhe se edhe përkundër faktit se fabrika ishte privatizuar me spin-off special, drejtori nuk i kishte realizuar obligimet për të cilat kishin qenë të detyruar. E në lidhje me mosrealizimin e këtyre obligimeve ai tha se e kishin lajmëruar edhe njësinë e monitorimit në AKP.

“Prej vitit 2007 kanë filluar problemet si me paga ashtu edhe me pakënaqësi të punëtoreve sepse numrin që e ka pasur për obligim me i punësu nuk e ka arritur kurrë, rreth 120 punëtorë, nuk ka punësuar më shumë, disa kanë qenë edhe si sezonalë. Pakënaqësitë e punëtoreve ne i kemi dorëzuar në AKP, në zyrën e Monitorimit i kemi edhe shkresat mundemi edhe me ja u dëshmu, që ju kemi treguar që as investimin e as numrin e punëtoreve nuk e kanë arritur”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tutje tregoi se gjatë grevës e cila kishte zgjatur për 78 ditë radhazi, në lidhje me pakënaqësitë që i kishin pasur i kishin njoftuar të gjitha institucionet në Kosovë e madje edhe kryetarin e metalistëve të Europës.

Ndërsa dëshmitari Naim Popova tregoi se pas privatizimit të fabrikës ata kishin punuar pothuajse çfarëdo lloj pune që u ishte caktuar vetëm e vetëm të mos mbeteshin të papunë.

“Çka do që është dashur të punoj kam punuar edhe për të zhveshur kallamoq kam bërë. Çka do që na ka ofruar nuk kemi kundërshtuar asgjë, sepse ajo ka qenë magjja e Podujevës”, deklaroi dëshmitari.

Edhe dëshmitari tjetër Skender Rrahmani tregoi se pas privatizimit të fabrikës ata kishin kryer punë të llojeve të ndryshme.

“Atje ka pasur maltretim kur shkon punëtori i armaturës dhe qet kulme, me heq pleh, maltretim ka qenë me mbjell ara, çdo punë që bëhet jashtë kontratës e kuptoj maltretim, kur e them krim i organizuar unë them se ky nuk ka qenë vet pa qenë një rrjet i fortë, sepse çdo institucion ka qenë i njoftuar por nuk ka reaguar edhe Strasburgu ka qenë i njoftuar, dhe nga Strasburgu ka qenë i njoftuar edhe kryetari i shtetit dhe institucionet e tjera”, tha dëshmitari.

Edhe Fadil Thaçi tha se në grevë kishin hyrë për shkak të pakënaqësive dhe mospërmbushjes së obligimeve nga ana e fabrikës.

Në lidhje me faktin se nëse pas privatizimit të fabrikës ishte bërë ndonjë investim në fabrikë, dëshmitarët thanë se nuk kishin vërejtur ndonjë investim dhe se as për servisim nuk kishte pasur nevojë nga jashtë pasi që servisimin e kishte kryer shërbimi i veçantë i mirëmbajtjes brenda fabrikës.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.