Mbrohen në heshtje të akuzuarit në gjykimin për "trepërqindëshin"
Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, dhe Atdhe Gashi të akuzuar për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim, në rastin e njohur “Fondi 3 %”, kanë vendosur të mbrohen në heshtje.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor nga avokati Florent Latifaj u propozuan që të bëhet administrimi dhe leximi i disa provave materiale, për të cilat nuk pati kundërshtime nga ana e Prokurorit Special, Atdhe Dema.
Pas kësaj me kërkesë të avokatëve Florent Latifaj dhe Arianit Koci u kërkua që të bëhet edhe njëherë administrimi dhe leximi i provave materiale për shkak se kishin kaluar më shumë 3 muaj nga koha kur ishte mbajtur shqyrtimi i fundit gjyqësor.
Ky propozim u aprovua nga gjyqtarja Medie Bytyçi, dhe pasi u konstatuan të lexuara të gjitha provat materiale, seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit.
Por kur i erdhi radha ta japin mbrojtën e tyre të akuzuarit Naser Osmani dhe Atdhe Shala, shfrytëzuan të drejtën e tyre të mbrohen në heshtje.
Seanca e radhës në këtë rast u caktua me 9 nëntor, kur nga palët do të jepet fjala përfundimtare.
Ish-deputeti i LDK-së Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish-kryeministri Bujar Bukoshi ndaj të cilit është veçuar procedura penale për shkaqe shëndetësore akuzohen për keqpërdorimin e ‘Fondit 3 %’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.
Fondi i cili ishte krijuar në vitet 1090 kishte mbledhur miliona euro të mërgimtarëve, por edhe të qytetarëve të Kosovës të cilët depononin para për të financuar qeverinë e Kosovës në ekzil.
Qeveria ishte kthyer pasluftës në Kosovë së bashku me paratë për të themeluar fondin ‘UFORK’, me të cilin synohej të harxhoheshin disa miliona euro të mbetura.
Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017.
Ata po akuzohen për keqpërdorimin e’ Fondit 3 përqind’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.
Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.
Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën ‘UFORK’, e cila merrej me çështje të rindërtimit.
Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në ‘Fondin e 3 përqindëshit’.
Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë marrë ato para.
Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas Prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.
Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e ‘Fondit 3 përqind’.
Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore, pasi dyshohet se nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.
Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të ‘Fondit 3%’, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Për këtë aktakuzë nuk ishin informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.
‘Dezertojnë’ ekspertët financiar, refuzojnë të bëjnë ekspertizën për gjykimin e ‘Fondit 3%’