Arkiv - Naser Osmani në Gjykatë

Naser Osmani dhe Atdhe Gashi pritet të rigjykohen për rastin e '3 përqindëshit'

 

Naser Osmani, dhe Atdhe Gashi pritet që të gjykohen sërish nga Gjykata e Prishtinës. Kjo pasi Gjykata e Apelit i ka aprovuar ankesat e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Themelore dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.

Me aktgjykimin e ankimuar, të akuzuarit Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, ishin shpallur fajtor, për shkak të veprës penale shpërdorimi, dhe ndaj të akuzuarve secilit veç e veç, ishte shqiptuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej nga tre (3) vjetëve.

Prokuroria Speciale po pretendon se Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 përqindëshit.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë tërhequr.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3 për qind.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore pasi dyshohet nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Për këtë aktakuzë nuk ishte informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.

Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.

Për shkak të gjendjes shëndetësore procedura gjyqësore ndaj ish- Kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Procedura kishte vazhduar ndaj deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.

Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

“Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur  që t’i aprovoj si të bazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, ndërsa është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, P.nr.2022/17, i datës 08.12.2020, ashtu që kjo çështje penale, do t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

“Duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e Kosovës ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj edhe si i tillë duhet të anulohet dhe kjo çështje penale do t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, përfundon njoftimi.

Dosja e Prokurorisë: Si i avulluan fondet e tre përqindëshit