Prokuroria kërkon dënimin e ish- deputetit Naser Osmani në rastin e "Fondit 3%"

Gjykimit ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit të akuzuar për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim, në rastin e njohur “Fondi 3 %”, i erdhi fundi.

Dy të lartpërmendurit dhe  ish-kryeministri Bujar Bukoshi ndaj të cilit është veçuar procedura penale për shkaqe shëndetësore akuzohen për keqpërdorimin e ‘Fondit 3 %’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Në seancën e sotme është dhënë fjala përfundimtare, me ç’rast prokurori special Atdhe Dema, ka deklaruar se nga provat është vërtetuar në mënyrë të plotë që të akuzuarit e kanë kryer veprën penale dhe atë me dashje.

Ai ka shtuar se të njëjtit në bashkëkryerje kishin përvetësuar pasurinë e personit tjetër dhe se si prokuror në këtë çështje penale nuk kishte gjetur asnjë provë të vetme që të tërhiqej nga akuza.

Ndërsa sa i përket ekspertizës financiare të ekspertëve të pavarur, i njëjti ka kërkuar nga Gjykata që të mos ua falë besimin atyre, për arsye se nuk kanë provuar asgjë më tepër se ekspertiza e ekspertit Qorolli.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Naser  Osmani, avokati Florent Latifaj, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nga provat dhe dëshmitarët vetëm është vërtetuar se Osmani ka qenë person i autorizuar në “UFORK”.

“Prokurori i çështjes i ka kërkuar të njëjtit që të bënte një ekspertizë me dokumentet që i posedonte, pra vetëm ato që i kishte aty për aty, edhe pse i njoftuar për mungesën e tyre, ai kishte insistuar”, tha Latfiaj.

Më pas avokati Latifaj i ka propozuar Gjykatës që në mungesë të provave të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Naser Osmani.

Kurse i akuzuari Naser Osmani para gjykatës deklaroi se për shkak të një gabimi pa dashje të prokurorit që ka iniciuar rastin ka ndodhur e gjithë kjo.

“Gabimi është ky, Prokuroria ka marr të dhëna përmes kartelës së bankës për vitin prill 2006 – prill 2012, ndërsa shpenzimet e arkës i ka kërkuar nga arkëtari Atdhe Gashi prej vitit 2008 -prill 2012, kështu që prokurori nuk i ka pas shënimet për vitet 2006 – 2007 të shpenzimeve të arkës, sepse neve na ka thënë se ajo është periudhë e vjetruar, dhe prandaj ekziston ky dallim i të hyrave dhe të dalurave”, ka thënë Osmani.

Ndërsa mbrojtësi I të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Arianit Koci në fjalën përfundimtare të tij ka deklaruar se përveç që i mbrojturi i tij është i pafajshëm, është provuar se i njëjti është viktimë e një procesi të padrejtë dhe të një pune jo të saktë të prokurorit paraprak.

Kurse nga Gjykata ka kërkuar që për veprën penale të shpërdorimit të merr aktgjykim lirues, ndërsa për shmangie nga tatimi të merr aktgjykim refuzues meqenëse ka kaluar afati i parashkrimit.

Pas dëgjimit të palëve gjykatësja Medie Bytyci, bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të behet me datë 11 nëntor.

Vlen të ceket se në seancë e kaluar dy të akuzuarit Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, kishin shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje.

Ish-deputeti i LDK-së Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish-kryeministri Bujar Bukoshi ndaj të cilit është veçuar procedura penale për shkaqe shëndetësore akuzohen për keqpërdorimin e ‘Fondit 3 %’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Fondi i cili ishte krijuar në vitet 1090 kishte mbledhur miliona euro të mërgimtarëve, por edhe të qytetarëve të Kosovës të cilët depononin para për të financuar qeverinë e Kosovës në ekzil.

Qeveria ishte kthyer pasluftës në Kosovë së bashku me paratë për të themeluar fondin ‘UFORK’, me të cilin synohej të harxhoheshin disa miliona euro të mbetura.

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017.

Ata po akuzohen për keqpërdorimin e’ Fondit 3 përqind’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.

Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën ‘UFORK’, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në ‘Fondin e 3 përqindëshit’.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë marrë ato para.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas Prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e ‘Fondit 3 përqind’.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore, pasi dyshohet se nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.