Naser Osmani FOTO KALLXO.com

Dënohet ish-deputeti Naser Osmani për Fondin e “trepërqindëshit”

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, dhe Atdhe Gashi, të akuzuar në rastin e njohur “Fondi i Trepërqindëshit” u shpallën fajtorë nga gjykata në Prishtinë.

 

Osmani dhe Gashi janë dënuar me nga 3 vjet burgim për veprën penale të shpërdorimit ndërsa janë liruar nga akuza për veprën penale shmangie nga tatimet pasiqë kanë përfituar nga parashkrimi i veprës.

Të akuzuarit janë obliguar që t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 200 euro secili veç e veç.

Gjithashtu Osmani e Gashi janë obliguar që t’ia kthejnë buxhetit të shtetit shumën prej 154.132.47 euro.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësja Medie Bytyci.

Kurse i pranishëm në sallën ishte i akuzuari Atdhe Gashi dhe mbrojtësi i tij, ndërsa Naser Osmani nuk ishte prezent. Atë e përfaqësonte mbrojtësi i tij.

Në fjalën përfundimtare prokuroria kishte kërkuar që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar lirim nga akuza.

Në lidhje me shqiptimin e dënimeve ndaj dy të akuzaurve, gjyqtarja Mehdie Bytyçi, nuk ka dhënë asnjë arsyetimin.

Ish-deputeti i LDK-së Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish-kryeministri Bujar Bukoshi ndaj të cilit është veçuar procedura penale për shkaqe shëndetësore akuzohen për keqpërdorimin e ‘Fondit 3 %’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Fondi i cili ishte krijuar në vitet 1990 kishte mbledhur miliona euro të mërgimtarëve, por edhe të qytetarëve të Kosovës të cilët depononin para për të financuar qeverinë e Kosovës në ekzil.

Qeveria ishte kthyer pasluftës në Kosovë së bashku me paratë për të themeluar fondin ‘UFORK’, me të cilin synohej të harxhoheshin disa miliona euro të mbetura.

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.

Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën ‘UFORK’, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në ‘Fondin e 3 përqindëshit’.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë marrë ato para Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas Prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e ‘Fondit 3 përqind’.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore, pasi dyshohet se nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.