Naser Osmani, deputet i LDK-së - Foto: Facebook
Paratë e fondit 3%, dënohen me burg Naser Osmani dhe Atdhe Gashi
Gjykata e Prishtinës ka shpallur sot fajtorë Naser Osmanin dhe Atdhe Gashin për veprën penale të shpërdorimit dhe për shkak të veprës penale shmangia nga tatimi.
Naser Osmani dhe Atdhe Gashi akuzohen në rastin e njohur si “Fondi i 3%-shit”.
Të akuzuarit Naser Osmani dhe Atdhe Gashi janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) vite, për veprën penale të shpërdorimit, i cili dënim do ekzekutohet në afat 15 ditë nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Të akuzuarit Naser Osmani dhe Atdhe Gashi obligohen që në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin e shkaktuar prej 255 mijë e 398 mijë euro e 41 cent, në afat prej 15 dite prej plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa për të njëjtit refuzohet akuza për veprën penale shmangie nga tatimi për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të veprës penale.
I pandehuri Naser Osmani në cilësi të anëtarit të OJQ-U-Forkut në Prishtinë dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkatarit të OJQ-U-Forkut në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kishin përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave të tjerë, e cila ju është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera, kontribues në fondin e themeluar atë botë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat ishin transferuat në xhirollogarinë e U-Fork, ashtu që kishin tërhequr shumën prej 255 mijë e 398 euro e 41 cent në cash dhe nuk e kishin arsyetuar e as dëshmuar tërheqjen e kësaj shume.
Aktakuza
Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017. Ata akuzoheshin për keqpërdorimin e Fondit 3 për qind, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.
Por për shkak të gjendjes shëndetësore të Bujar Bukoshin, procedura gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.
Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.
Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën UFORK, e cila merrej me çështje të rindërtimit.
Prokuroria Speciale pretendonte se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 për qind.
Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%.
Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit akuzoheshin edhe për shmangie tatimore pasi dyshohej se nuk i kishin deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.
Historia e Gjykimit
Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Për këtë aktakuzë nuk ishte informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.
Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.
Procedura kishte vazhduar ndaj deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.
Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.
Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.