Haradinaj shkarkon Zëvendësministrin që mbajti këmbët në xhamin e veturës zyrtare

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra Zëvendësministrin e Bujqësisë, Shukri Maxhuni, i cili vjen nga Aleanca Kosova e Re.

Ky shkarkim vie pas raportimit të medieve se ky zëvendësministër kishte ngritur dhe shtrirë këmbët afër xhamit të përparmë të veturës zyrtare.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Shkarkimin e këtij zëvendësministri e kishte kërkuar edhe Ministri i Punës së Jashtme, Behgjet Pacolli.

Pacolli ka thënë se kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike.

“I pahijshem akti i Zëvendës Ministrit të Bujqësisë zotni Maxhunit me sjelljen e tij në një veturë zyrtare. Kjo nuk është mënyra se si një zyrtar qeveritar sillet me pronën që është blerë nga taksat e qytetarëve tanë. Pavarësisht kush është , është një akt i papranushem që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë”, ka thënë Pacolli.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka shtuar se zyrtarët publik duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre në një mënyrë të tillë.

“Dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla”, ka thënë Pacolli.

Në muajin janar, Kallxo.com kishte publikuar të gjithë raportet e punës së zëvendësministrave për 100 ditët e para të Qeverisë Haradinaj.

Zëvendësministri Shukri Maxhuni raportin e tij të punës e kishte nisur me një fjalë të urtë popullore.

“Bujqësia është minierë e pashterueshme që kemi pasuri nga Zoti. Prandaj duhet ta çmojmë dhe ta zhvillojmë”.

Pas kësaj fjalie, Maxhuni ia ka shpjeguar kryeministrit pse bujqësia dhe blegtoria duhet të jenë prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

https://kallxo.com/zevendesministri-i-flet-haradinajt-per-kullosat-e-kosoves-qe-nga-koha-e-perandorise-romake/