Përfaqësimi ‘dinjitoz’ i AAK-së në Ministrinë e Arsimit

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në qeverinë Hoti, ka marrë përsipër Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Për këtë dikasteri postin e ministrit, AAK-ja ia ka besuar Ramë Likajt, ndërsa zëvendësministër po ashtu nga AAK-ja është emëruar Driton Bardheci.

Emërimi i Likajt dhe Bardhecit në krye të këtij institucioni është kundërshtuar nga shumë organizata.

13 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë kërkuar nga Kryeministri Avdullah Hoti që në krye të Ministrisë së Arsimit të ketë njerëz më integritet dhe jo si Ministri Ramë Likaj dhe Zëvendësministrit Driton Bardheci.

Organizatat nënshkruese kanë vlerësuar se emërimi i Likajt dhe Bardhecit në krye të ministrisë e ka dëmtuar shumë arsimin në Kosovë.

“Emërimi i z. Ramë Likaj në pozitën e ministrit dhe z. Driton Bardheci në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) janë vendime të papranueshme për cilindo qytetar të Kosovës që e dëshiron një arsim cilësor, relevant dhe serioz. Kërkojmë nga kryeministri Hoti që t’i largojë nga kabineti i tij këta anëtarë dhe t’i zëvendësojë ata me profile që kanë aftësi dhe integritet për t’i çuar përpara reformat që janë urgjentisht të nevojshme në arsim”, thuhet në reagim.

Sipas tyre Ministri aktual, Ramë Likaj, nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

“Ndonëse SCOPUS i ka përjashtuar për plagjiaturë revistat në të cilat z. Likaj ka publikuar punimet e tij shkencore, ky fakt nuk e ka penguar avancimin e tij brenda universitetit publik, ashtu sikurse as emërimin e tij në krye të dikasterit më të lartë të arsimit në Kosovë”, thuhet tutje në reagim.

Ndërsa për emërimin e zëvendësministrit Driton Bardheci, organizatat e shoqërisë civile kanë vlerësuar se ai nuk posedon as kualifikimin e as përvojën për këtë pozitë.

“Ndërsa, z. Bardheci nuk ka asnjë kualifikim apo përvojë adekuate për këtë përgjegjësi. Përveç tjerash, emërimi i tij në këtë pozitë me përgjegjësi ekzekutive paraqet konflikt interesi në raport me organet e universiteteve publike duke qenë se z. Bardheci është ende student i nivelit Bachelor në Universitetin e Prishtinës, mbi të cilin tanimë ka kompetenca ekzekutive”, thuhet tuje në reagim.

Kallxo.com, ka shkruar për profilin e ministrit Likaj si dhe për kundërshtimet që organiyatat kishin me këto dz emërime.

 

ORCA kundër Ramë Likajt si Ministër i Arsimit