Nuk 'mjaftohet' me pozitën e zëvendësministrit, merr pozitë të lartë edhe në Komunë

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi që nga fillimi i këtij muaji do të marrë edhe një pagë tjetër.

Bashkim Krasniqi, anëtar i Partisë Liberale Egjiptiane është emëruar zëvendës-kryesues i Kuvendit të Komunës për Komunitete në Komunën e Fushë Kosovës.

Më 28 mars të vitit të kaluar, Bashkim Krasniqi është emëruar në këtë pozitë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar më zëvendësministrin Krasniqi, i cili thotë se ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë pozitë, ndonëse e di se është emëruar.

“Ende nuk është marrë vendim. Kur e more atë vendim. Unë nuk e di. Unë e di që jam punësuar ama vendimin hala se kam parë”, tha fillimisht Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai e pranoi se i mbanë dy pozitat, por e përjashtoi mundësinë e ndonjë shkelje ligjore.

“Po, unë e mbaj edhe pozitën e zëvendësministrit edhe këtë pozitë, veç po du me ju tregu që nuk ka shkelje sepse ju gazetarët po keni qef, ama nuk ka kurrfarë shkelje. Është pozitë politike”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Vendimi për emërimin e Bashkimi Krasniqit në pozitën e Zëvendës Kryesuesit të Kuvendit të Komunës për Komunitete – Foto KALLXO

Bashkim Krasniqi mban pozitën e zëvendësministrit në ministrinë që ekskluzivisht merret me komunat e Kosovës. Ai është njëri nga 2 zëvendësministrat në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

I pyetur nëse mund të ketë konflikt interesi, për shkak se mund të nënshkruaj dokumente që lidhen me Komunën e Fushë Kosovës, ku ai ka një pozitë të lartë, Krasniqi përsëri e përjashtoi këtë.

“Për me nënshkru diçka, është bajagi një procedurë, që shkon fillimisht te zyra ligjore, pastaj te sekretarja. Ministri apo zëvendësministri është krejt në fund. Të gjitha këto janë hierarki. Nuk mund të ketë konflikt interesi, hiç”, tha në mes tjerash ai.

Përveç këtyre dy posteve, Bashkim Krasniqi ka edhe një punë tjetër. Ai ka punuar si shërbyes civil në Komunën e Fushë Kosovës, në Drejtorinë e Bujqësisë. Këtë post, ai e kishte ngrirë kur kishte marrë pozitë politike në Qeverinë e Kosovës.

Ai për Gazetën JnK e konfirmoi se pozitën e mbanë të ngrirë, dhe në qoftë se nuk mbanë pozitë politike, do të kthehet të shërbej në Komunën e Fushë Kosovës.

“Po, e mbaj pozitën e ngrirë të shërbyesit civil. Kam punuar në Drejtorinë e Bujqësisë. Pagë nuk marrë aty, sepse është e ngrirë. Në momentin kur nuk do të kem pozitë politike, do të kthehem në pozitën e shërbyesit civil në Komunën e Fushë Kosovës”, tha Krasniqi për Gazetën JnK.

Në të kaluarën, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se Bashkim Krasniqi i kishte tejkaluar limitet e shpenzimeve si zëvendësministër, andaj ishte “detyruar” që pagën ta marrë me zbritje, në mënyrë që të kthente borxhin ndaj Ministrisë.

Zëvendësministri Bashkim Krasniqi brenda 3 muajve kishte tejkaluar këto shpenzime për 227 euro e 70 cent.

Ministria e ‘detyron’ Zëvendës Ministrin t’i paguajë ‘nga xhepi’ shpenzimet e tejkaluara

.