Gjykimi për krime lufte ndaj Milorad Zajiq - 25.02.2019 - FOTO KALLXO

Gjykimi për krime lufte, serbi nga Klina mohon se ua dha shtëpinë paramilitarëve serb

Milorad Zajiq, i cili po gjykohet për krime lufte në rastin e njohur si “Djegia e Fshatit Dush te Klinës”, seancën e sotme ka dhënë mbrojtjen e tij. Zajiq akuzohet për pjesëmarrje aktive në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës, në Qershor të vitit 1998.

 

https://kallxo.com/sot-nis-gjykimi-ndaj-serbit-te-dyshuar-per-krime-lufte-ne-kline/

 

Mbrojtësi i të akuzuarit Milorad Zajiq, avokati Dejan Vasiq, tha se në fjalën përfundimtare të tij do të deklarohet për të gjitha provat materiale.

Avokati Vasiq kundërshtoi leximin e deklaratës së dëshmitarit Azem Marmullaku, me arsyetimin se i njëjti nuk është dëgjuar në Prokurori, ndërsa gjykata e lejoj leximin e saj.

Pas leximit të provave gjykimi vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Milorad Zajiq.

I akuzuari Zajiq tha se me 19 Qershor 1998 kishte qenë në punë në Jugobankë në Klinë, ndërsa në mbrëmje me veturën Zastava ka shkuar në fshat dhe ka marrë nënën për ta dërguar në Klinë, por nuk ka qenë i armatosur.

“Kur kam ardhur në shtëpi ka qenë vetëm nëna dhe vëllau, paramilitarë serbë nuk ka pasur, as paraushtarak, e as policë”, tha ai.

“Të nesërmen me datën 20 (20 qershor 1998)ka qenë ditë e shtunë, kam shkuar në punë me një fqinjë-kushëri bashkë me nënat tona. Dhe që nga data 19 (qershor 1998) më nuk kam shkelur në fshat deri në gjysmën e dytë të muajit Gusht”, deklaroi i akuzuari për krime lufte Milorad Zajiq.

Ai tha se veturën e kishte lënë në fshat dhe kur ishte kthyer e kishte gjetur të djegur.

“Pas luftës jam kthyer me datë 13 Qershor 2006, ku kam dëgjuar që më kanë kandiduar si asamblist në Kuvendin Komunal. E pastaj e kam kuptuar që kanë ngritur një procedurë ndaj meje, kam shkruar shkresën e demantuar dhe e kam adresuar në nëntë adresa në Klinë dhe jam arrestuar më 19 mars 2018 në mënyrë të çuditshme, duke u informuar se më kanë thyer shtëpinë”, tha ai.

“Polici civil me emrin Gani, së pari më ka premtuar që do të më dërgojë në Prokurori që të jap një deklaratë dhe gjatë vozitjes së automjetit më ka provokuar. Më pas më kanë vendosur në njësinë e paraburgimit, duke mos më dërguar në Prokurori”, deklaroj ai.

“Të nesërmen kam dhënë deklaratë përmes përkthyesit të gjuhës serbe nga ora 10 deri në ora 12, dhe deklaratën e kam nënshkruar, por nuk ma kanë dhënë sepse më kanë thënë që nuk është e nevojshme”, tha ai.

I akuzuari Milorad Zajiq tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori.

“Unë gjatë vitit 1998 kam qenë çdo ditë deri në 19 qershor, për shkak se ka qenë koha e punimit të tokës, deri në mëngjesin e datës 20 qershor 98, e pastaj nuk e di çka ka ndodh e derisa jam kthyer në gusht të atij viti”, tha i akuzuari Milorad Zajiq.

“Nuk është e vërtetë se unë shtëpinë ia kam dhënë paramilitarëve serb, unë nuk kam qenë në fshat”, tha ai.

Në pyetjen e prokurores se cilat janë ndodhitë që të kujtohen në ato data?

“Kur unë nuk kam qenë prezent, komshinjtë shqiptarë kanë sulmuar serbët dhe kanë vrarë një djalë 17 vjeçar Oliver Zajiq me pseudonimin Gisha”, u përgjigj Zajiq.

Ai tha se fqinjët e tij shqiptarë kishin hapur zjarr, ndërsa vëllau i fqinjit të tij, Milloje Zajiq e kishte dërguar me veturë në Klinë dhe se nuk ishte kthyer deri në muajin Gusht.

“Sa kam informata unë në shtëpinë time nuk ka qëndruar askush, të paktën deri më datën 20 qershor”, tha Milorad Zajiq.

Prokurorja Habibe Salihu, ballafaqoi të akuzuarin me deklaratën e tij dhe të dëshmitarit Ali Marmullaku.

Në atë deklaratë ai kishte thënë që kjo ngjarje nuk ka mundur të jetë me datën 19 qershor, por duhet të ketë qenë data 15 ose 16 qershor 1998 dhe se nuk kishte pasur armatim, sepse në atë kohë familja e tij kishte shkuar në Serbi, ndërsa sot i akuzuari Milorad Zajiq tha që familja e tij ishte larguar me datë 21 ose 22 qershor 1998.

Ai tha që e vërteta është që me datë 21 ose 22 qershor familja e tij ishte larguar.

Ai tha se kishte dëgjuar se  me datën 8 apo 9 gusht 1998 policia e rrethit të Beogradit ishte stacionuar në shtëpinë e tij.

“Në hyrje të fshatit afër kalimit të hekurudhës policia kanë formuar një punkt për ta mbrojtur fshatin që të mos sulmohet nga UÇK-ja”, tha ai.

Më pas ai tha se me datë 10 gusht 1998, pas kthimit të nënës së tij nga Serbia policia serbe e kishte zënë shtëpinë e tij, ndërsa nëna e tij kishte qëndruar në shtëpinë e vjetër.

“Policia e kanë zënë shtëpinë e re, ndërsa nëna e vëllau kanë qëndruar në shtëpinë e vjetër. Ata kanë qëndruar deri me 16 qershor 1999, mirëpo nuk e di kush i ka udhëhequr, ata janë ndërruar çdo 30 ditë”, deklaroi i akuzuari Milorad Zajiq.

Ai tha se gjatë kohës kur janë djegur shtëpitë në fshatin Dush, ai ka qenë në Klinë.

“Për djegiet kam kuptuar nga familja ime”, tha ai.

“Vëllau im nuk ka lëvizur nga shtëpia, unë me datë 19 kam shkuar kam fjetur një natë aty në shtëpinë e re, ndërsa unë nuk kam qenë aty kur janë larguar familjet shqiptare”, deklaroi i akuzuari Milorad Zajiq.

 

Gjykimi i Milorad Zajiq, i akuzuar për krime lufte – FOTO KALLXO – 25.02.2019

 

Kryetari i trupit gjykues Kreshnik Radoniqi, pyeti të akuzuarin se a e ka parë dikë prej familjes Marmullaku?

“Jo, nuk i kam parë”, u përgjigj ai.

Ai tha se aty kanë qenë 20 deri 25 familje serbe.

“Edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë pas këtyre akuzave, por thonë se sulmi është mbrojtja më e mirë. Kam qëndruar me shqiptarë, jemi përshëndetur. E kam pasur ndërgjegjen e pastër dhe kam qenë i gatshëm t`i përgjigjem Policisë. Kam qëndruar 12 vite në Klinë dhe askush nuk më ka ngucur”, shtoj ai.

Avokati Dejan Vasiq deklaroi se heq dorë nga parashtresa kundër aktvendimit mbi vazhdimin e arrestit shtëpiak, me qëllim të efikasitetit të procedurës dhe meqenëse gjykimi është afër fundit.

Ndërsa trupi gjykues i përbërë nga kryetari Kreshnik Radoniqi bashkë me anëtarët Lumturije Muhaxheri dhe Sami Sharaxhiu caktuan 5 marsin për dhënien e fjalës përfundimtare, ndërsa 8 marsin, shpalljen e aktgjykimit.

Gjykimi i Milorad Zajiq, i akuzuar për krime lufte – FOTO KALLXO – 25.02.2019

 

Sipas aktakuzës, Milorad Zajiq ishte i përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shqiptarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se më 19 qershor 1998, Zajiq e kishte nisur betejën kundër shqiptarëve.

Fqinjët e tij e kishin parë duke shkarkuar nga makina e tij “Zastava” armë, e në mbrëmje duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga po këto sulme sipas Prokurorisë Speciale mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku. Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xhemë Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.

Milorad Zajiq ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza.

 

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-krime-lufte-ne-kline-ndihet-i-pafajshem/

 

Milorad Zajiq akuzohet për pjesëmarrje aktive në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës, në qershor të vitit 1998.

https://kallxo.com/sot-nis-gjykimi-ndaj-serbit-te-dyshuar-per-krime-lufte-ne-kline/