Policë e doganierë të akuzuar për mitmarrje në pikën kufitare 'Qafë Prush' deklarohen për fajësinë

12 policët kufitarë, Artan Thaçi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati dhe 2 zyrtarët doganorë Enis Turtulla dhe Senad Zherka, janë të akuzuarit nga Prokuroria Speciale për marrje ryshfeti në Pikë Kalimin Kufitar në “Qafë Prush”.

Të mërkurën më datë 21.02.2024 ata u paraqitën para gjykatës dhe asnjëri nga ta nuk e pranoi fajësinë për akuzat e Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës 114-faqëshe, në periudhën kohore nga muaji gusht 2021 e deri në dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare “Qaf Prush”, 12 policët e akuzuar kanë kërkuar e pranuar ryshfet me qëllim të përfitimit personal duke iu mundësuar qytetarëve kalimin në këtë pikë kufitare pa iu nënshtruar procedurave e kontrolleve të parapara me ligj.

Këto veprime aktakuza thotë se të akuzuarit i kanë kryer në bashkëkryerje por edhe veç e veç.

Ndërkaq sa i përket dy doganierëve, ata po akuzohen se lejuan hyrjen e mallrave të ndryshme pa iu nënshtruar mbikëqyrjes doganore, e tërë kjo me qëllim të përfitimit material.

Secili prej tyre ishin deklaruan para gjykatës se për momentin janë të suspenduar nga puna.

Seanca e 26.01.2024 kishte dështuar të mbahet meqë avokatët nuk ishin pajisur siç duhet me shkresat e lëndës.

Avokati Agron Rrecaj i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Artan Thaçi kishte thënë se vetëm pjesërisht ka pranuar shkresat e nevojshme, e atë një USB me videot e masave të fshehta por asnjë provë tjetër. Njëlloj ishin shprehur edhe pjesa dërmuese e avokatëve mbrojtës, e për këtë arsye nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës.

Të akuzuarit ranë në prangat e policisë më 14.03.2022 në një aksion të Inspektoratit Policor, pas hetimeve që zgjatën 10 muaj nga IPK në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

Avokatët e të akuzuarve sipas udhëzimit nga gjyqtari i rastit Lutfi Shala kanë kohë 30 ditë të paraqesin kundërshtimin ndaj aktakuzës dhe të provave.

Aktakuza është ngritur nga prokurorët Special Habibe Salihu e Ilir Morina.