Takimi Radoniqi - Davenport. Foto: KQZ.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi takoi shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka pritur sot në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

KQZ përmes një njoftimi ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është biseduar lidhur me angazhimin e KQZ-së në drejtim të finalizimit të harmonizimit të akteve nënligjore, me theks të veçantë rregulloreve zgjedhore me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Po ashtu, sipas njoftimi, Radoniqi dhe Davenport kanë biseduar edhe lidhur me verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat veriore.

“Radoniqi njoftoi shefin e misionit të OSBE-së se KQZ është angazhuar intensivisht edhe për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok dhe se pas verifikimit, KQZ do të informojë të gjitha palët, përfshirë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave, grupet nismëtare, por edhe qytetarët dhe mediat”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, sipas njoftimit, Radoniqi e Davenport biseduan edhe lidhur me ndihmën e OSBE-së për KQZ-në në përgatitjen e softuerit, i cili do të shërbejë për një numër të madh të operacioneve zgjedhore.